Atdhe Nuhiu largohet Altach

- Advertisement -

Atdhe Nuhiu është larguar nga pozita e ndihmës trajnerit te skuadra austriake SCR Altach, duke mbyllur kështu një kapitull të rëndësishëm në karrierën e tij si pjesë e stafit teknik të klubit.

Ish-sulmuesi i kombëtares së Kosovës tashmë po synon një hap të ri në karrierë, pasi gjatë verës dëshiron të gjejë një angazhim të ri, këtë herë në rolin e trajnerit kryesor te ndonjë skuadër.

Lajmi për largimin e Nuhiut është konfirmuar edhe nga vetë klubi austriak përmes një njoftimi zyrtar, ku bëhet e ditur se ndarja është bërë me marrëveshje të përbashkët mes palëve.

“Faleminderit për gjithçka, Atdhe! Atdhe Nuhiu nga vera nuk do të jetë më pjesë e stafit të trajnerëve. Klubi dhe ndihmëstrajneri kanë vendosur të ndajnë rrugët me marrëveshje të përbashkët. Faleminderit për angazhimin dhe kontributin tënd gjatë viteve të fundit dhe të urojmë vetëm suksese në rrugëtimin tënd të ardhshëm”, thuhet në njoftimin e SCR Altach.

Megjithatë, Nuhiu nuk do të largohet plotësisht nga futbolli kosovar, pasi ai do të vazhdojë të jetë pjesë e Kombëtares së Kosovës në rolin e ndihmës trajnerit të Franco Fodës.

Kujtojmë se Atdhe Nuhiu pas përfundimit të karrierës si futbollist kishte nisur rrugëtimin në trajneri, ndërsa tashmë synon të ndërtojë një karrierë të pavarur si trajner kryesor në futbollin evropian.

Të ngjashme

Të fundit