Ai ka thënë se sonte si delegacion po vazhdon rrugëtimin për Kosovën në Strasburg, duke treguar agjendën për 15 e 16 prill.
“Janë dy ditë, e hëna dhe e martja kur do të ketë votime në komitete dhe në Asamble Parlamentare, janë dy ditë historike”, ka deklaruar Tahiri.
Më poshtë sqarimi i Bislimit për procesin e Kosovës më 15 dhe 15 prill për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
Dita 1:
Të hënën, më,15 prill 2024, nga ora 14:00 -15:15, Komiteti për Barazi dhe Mos diskriminim, te pika e katërt e rendit të ditës do të diskutojë raportin për aplikimin e Kosovës në APKE. Po ashtu, të njëjtën ditë, në Komitetin për Çështje Ligjore dhe të Drejta të Njeriut do të diskutojë raportin për aplikimin e Kosovës në APKE.
Dita 2:
Të martën, më 16 prill 2024, mbahet takimi i Asamblesë Parlamentare. Ky sesion pranveror i Asamblesë Parlamentare i Këshillit të Evropës është i një rëndësie historike. Këtë ditë, diku rreth orës 16:00, do të zhvillohet debat për aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Në këtë sesion do të diskutohet raporti i znj. Dora Bakoyannis, i cili duhet të marrë 2/3 e votave të anëtarëve e prezentë.
Asambleja Parlamentare i ka 46 shtete anëtare me gjithësej 302 anëtarë plus 306 zëvendësues. Janë 34 shtete që na kanë njohur, ndërsa 14 që nuk na kanë njohur. Në qoftë se votimi është i sukseshëm, i njëjti raport do të procedohet te Komiteti i Ministrave, takim i cili do të mbahet më 16 dhe 17 maj 2024.
Po ashtu, të martën nga ora 10:30-12:30, Komiteti për Politikë dhe Demokraci, në sallën 9, do të diskutojë për raportin konsultativ për aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, për të cilin do të flasë raportuesja për Kosovën, znj. Bakoyannis. Në këtë takim do të paraqiten edhe dy raportet e tjera të dy komiteteve që kanë ndihmuar në hartimin e opinionit konsultativ.
Procesi i votimit në tërësi do të jetë sfidues, disa vende si Spanja dhe të tjera kanë folur hapur kundër anëtarësimit tonë, por besoj kësaj radhe do të triumfojmë, pasi që mbështetja e vendeve mike është e parezervë ndërsa angazhimi i Delegacionit ka qenë i vazhdueshëm dhe shumë unik e serioz.