Arsene Wenger e paralajmëroi rastin e Cityt, qysh para 15 vitesh

- Advertisement -

Arsene Wenger e akuzoi Manchester Cityn se po i anashkalonte rregullat financiare të UEFA-s 15 vjet më parë, ndërsa komentet e tij duket se janë bërë edhe më të rëndësishme tani.

Më 25 shtator u raportua për herë të parë se Manchester City ishte shpallur fajtor për 114 nga 115 akuzat e ngritura ndaj tij pas një hetimi nga një komision i pavarur.

Premierliga më pas publikoi një deklaratë të gjatë më 29 shtator, duke konfirmuar se City kishte shkelur rregullat financiare gjatë periudhës 2008/09 deri në 2017/18 – periudhë gjatë së cilës fitoi tre tituj të Premierligës.

Një komision i pavarur konstatoi se klubi kishte organizuar “kontrata fiktive”, si dhe ishte “mbështetur në marrëveshje fiktive për të fryrë artificialisht të ardhurat e klubit dhe për të ulur kostot e tij”.

Sipas Premierligës, City u gjet fajtor se kishte organizuar skema të fshehura financimi në vlerë prej më shumë se 830 milionë funtesh me partnerët komercialë.

Si rezultat, janë bërë thirrje që Cityzens të privohen nga tre titujt e ligës që fituan gjatë asaj periudhe, ndërsa zbritja e pikëve, përjashtimi/rënia nga elita dhe ndalimi i transferimeve janë gjithashtu ndër dënimet që mund të merren në konsideratë.

Arsene Wenger, i cili drejtoi Arsenalin nga viti 1996 deri në vitin 2018, duket se kishte dyshime për këtë çështje prej kohësh, pasi në vitin 2011 e akuzoi Manchester Cityn se po përpiqej t’i anashkalonte rregullat e “fair-play”-it financiar të UEFA-s, pasi klubi kishte arritur një marrëveshje sponsorizimi prej 400 milionë funtesh me “Etihad Airways”.

Ai besonte se Michel Platini, presidenti i UEFA-s në atë kohë, kishte për detyrë ta hetonte marrëveshjen dhe i shtoi presionin bashkëkombësit të tij francez që të vepronte.

“Kjo ngre një pyetje të vërtetë për kredibilitetin e ‘fair-play’-it financiar”, tha Wenger përmes The Guardian në korrik 2011.

“Pikërisht për këtë bëhet fjalë. Ata na japin mesazhin se mund ta anashkalojnë atë duke bërë çfarë të duan. Kjo do të thotë se ‘fair-play’-i financiar nuk do të funksionojë. Është kaq e thjeshtë.

“Unë mund ta kuptoj se si e bëjnë këtë, por kjo ngre një pyetje të vërtetë. Vështirësia dhe kredibiliteti i ‘fair-play’-it financiar janë në lojë.

“Për më tepër, nëse ‘fair-play’-i financiar do të ketë një shans, sponsorizimi duhet të jetë me çmimin e tregut. Nuk mund të dyfishohet, trefishohet apo katërfishohet, sepse kjo do të thotë se është më mirë të mos e zbatojmë fare dhe t’i lëmë të gjithë të lirë. Edhe kjo mund të mbrohet, por nëse vendosin rregulla, ato duhet të respektohen”, kishte shtuar ai.

Komentet e Wengerit duken veçanërisht domethënëse 15 vjet më vonë, pasi 54 nga 114 akuzat ndaj Cityt lidhen me dhënien e informacioneve të sakta financiare, duke përfshirë në mënyrë specifike akuzat për fryrje artificiale të të ardhurave nga sponsorizimet dhe aktivitetet komerciale.

City vazhdon të këmbëngulë në pafajësinë e tij në këtë çështje, pasi publikoi një deklaratë të gjatë në rrjetet sociale, por sipas Wengerit, trashëgimia e klubit tashmë është “e pavlerë”, pasi shqetësimet e tij të atëhershme u materializuan.

“Manchester City mund të jetë me fat. Mund të marrë vetëm një gjobë dhe një ndalim të transferimeve”, tha 76-vjeçari pasi klubi u shpall fajtor.

“Por unë i besoj Anglisë.

“Një vend që e respekton kaq shumë traditën dhe historinë mund të mos e pranojë më kurrë Manchester Cityn në të njëjtën mënyrë.

“Asgjë që do të arrijnë nga tani e tutje nuk do të festohet më në të njëjtën mënyrë.

“E gjithë trashëgimia e klubit të tyre tani është e pavlerë.

“Në çdo ndeshje, ata do të quhen ‘mashtrues’. Askush nuk do t’i respektojë dhe lojtarët e tyre do ta dinë se çdo gjë që arrijnë nuk do të ketë kurrë të njëjtin kuptim.

“Ky është dënimi i vërtetë. Jo vetëm ajo që ndodh me Manchester Cityn në gjykata apo në fushë, por ajo që ndodh me mënyrën se si njerëzit do ta kujtojnë gjithçka që ata kanë arritur”, tha ai tutje.

Manchester City ka afat deri të premten (2 tetor) për të apeluar këtë vendim dhe procesi i apelit pritet të përfundojë jo më vonë se 12 javë pas dorëzimit të tij. Më pas, dënimi i klubit do të bëhet më i qartë.

Të ngjashme

Të fundit