Prokuroria Speciale në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, pas hetimeve disa mujore, ka zhvilluar një aksion, ku ka arrestuar pesë persona të dyshuar për veprën penale “Krime Lufte”.
Personat ndaluar janë: D.C., D.N., N.S., S.J., M.Sh. Sipas Prokurorisë, “dyshohet se të njëjtit në bashkëkryerje edhe me pjesëtar tjerë të paidentifikuar të këtij grupi, të armatosur dhe të veshur me uniforma të kamufluara dhe uniforma jo të rregullta të policisë apo ushtrisë serbe, më 05.04.1999, në orët e para të mëngjesit, kishin ndërmarrë një aksion në fshatrat Inatoc (Kokaj), Llovcë, Pogragjë dhe Uglar, ku me qëllim dhe dashje kishin vrarë, plagosur, djegur për së gjalli viktimat civile shqiptare, marrë peng, dhunuar, rrahur, maltretuar, torturuar fizikisht dhe psiqikisht, plaçkitur, shkatërruar pronat e shqiptarëve dhe djegien e tyre, dëbuar popullatën civile shqiptare, shkatërruar dhe abuzuar objektet kulturore dhe fetare, veprime këto të sanksionuara sipas ligjeve vendore, zakoneve të luftës dhe Konventave Ndërkombëtare të Gjenevës dhe Protokolleve Shtesë.”
Prokuroria ka bërë me dije do t’i ndërmarrë veprime e mëtejme procedurale ligjore, derisa ndaj kësaj çështjeje penale do të vazhdojë me zhvillimin e hetimeve.