Dy personat e arrestuar të hënën nën dyshimin për krime lufte kundër popullatës civile në Zubin Potok dyshohet se lidhen me një nga rastet më të rënda të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë – rrëmbimin dhe zhdukjen e 23 intelektualëve shqiptarë të Mitrovicës, më 19 prill 1999.
Burime nga Prokuroria Speciale kanë bërë të ditur për KosovaPress se bëhet fjalë për hetimet që lidhen me zhdukjen e grupit të intelektualëve, në mesin e të cilëve ishte edhe mjeku i njohur, dr. Adem Ademi.
Sipas këtyre burimeve, dy të dyshuarit e arrestuar dyshohet se kanë njohuri për këtë rast, ndërsa hetimet janë ende në fazën fillestare.
Grupi prej 23 intelektualësh ishte ndaluar nga forcat serbe më 19 prill 1999 në zonën e Zubin Potokut, derisa po largohej drejt Malit të Zi. Që nga ajo ditë nuk është mësuar më asgjë për fatin e tyre, ndërsa ata vazhdojnë të figurojnë në mesin e personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës.






