Tri javë i mjaftuan Albulena Haxhiut, si ushtruese e detyrës së presidentes, që të hallakatë ambasadat e konsullatat e Republikës së Kosovës, anë e mbanë botës.
Pa e mbushur muajin në karrigen e të pares së vendit, ajo ka shkarkuar ambasadorë, konsuj e ua ka ndërruar vendet ku po kryenin misionin diplomatik shumë diplomatëve.
Kiks Kosova zbuloi ndryshimet që ndodhën në ambasadën në Vatikan, Panama, Kolumbi, Bangladesh, e konsulatat në Stamboll, Hamburg, Zurich e në Dusseldorf.
Sipas ish-ambasadorit të Kosovës në Emiratet e Bashkuara Arabe, Avni Arifi, këto shkarkime janë pa asnjë vlerësim të performancës. I ftuar në emisionin Kiks Kosova, në Klan Kosova, Arifi tha se ai që do të duhej të shkarkohej, për ta ruajtur imazhin e Kosovës, është ambasadori Martin Berishaj, i cili po vazhdon të qëndrojë në mision, ndonëse i ka kaluar mandati.
“Martin Berishaj është i akuzuar për shpërlarje parash. Tash, pa marrë parasysh a është fajtor apo nuk është fajtor, nga të tjerët është i perseptuar si person si person i inkriminuar. Edhe gjykata të kish thanë që është i pafajshëm, nuk kanë thënë, po e kanë çu në Serbi, dihet që është i kyçur, krejt e dimë që është fajtor ose të paktën, i inovolvuar në tregtinë me Energjinë me Serbinë. Ta zëmë që është afire krejt koti, ta zëmë që është krejt i pafajshëm, edhe në ato situata, një diplomaci e meçme, duke ia rujtë integritetin e një ambasadori të apostrofuar, heshturazi ose e transferon diku tjetër ose e tërhek se është në pyetje imazhi i shtetit. Na, që pesë vjet, majmë ambassador që është i perceptuar, me të drejtë, që është i involvuar në transaksione të dyshimta, të shitblerjes së energjisë dhe shpëlarje parash”, tha Arifi.
Një ambasador i diskreditur, diplomati thotë se i bën dëm vendit.
“Një dreq i madh është këtu, si mbahet njeri që është i inkriminuar”, shtoi ai.






