Sekretari i Aleancës, Avni Arifi ka kritikuar PDK-në për veprimet lidhur me ligjin për mbrojtjen e UÇK-së, duke i cilësuar ato si të papërgjegjshme dhe jo serioze.
Arifi ka thënë se vendimi i PDK-së është pritur me keqardhje, pasi sipas tij, si Qeveria ashtu edhe PDK-ja kanë pasur kohë të mjaftueshme për të hartuar një ligj që adreson çështjet kushtetuese dhe shqetësimet e ngritura.
Ai ka bërë të ditur se Aleanca kishte ofruar ekspertizën e saj për këtë proces, por sipas tij, PDK-ja nuk është konsultuar me ta.
Megjithatë, Arifi ka theksuar se Aleanca do ta mbështesë çdo version të ligjit që synon të ndihmojë ish-krerët e UÇK-së në procesin gjyqësor në Hagë.
“Është çudi ky veprim i PDK-së, e pritëm me shumë keqardhje, e konsiderojmë si një veprim jo serioz edhe Qeveria edhe PDK kanë pasur kohë të mjaftueshme që me e bë ligjin konform asaj që mendojnë se është kushtetuese dhe që nuk cenon aspekte për të cilat kanë kërkuar që të rikthehen, ne si Aleancë kemi ofruar kanë pasur në dispozicion ekspertizën tonë PDK nuk janë konsultuar me ne, mirëpo ne e kemi votuar dhe do ta votojmë çdo lloj ligji i cili në bindjen e tyre dhe bindjen e çdo qytetari e ndihmon procesin në Hagë, procesin e lirimit të tyre”, ka deklaruar Arifi në emisionin “Ditari” në Tëvë1.
Ai ka kritikuar edhe mungesën e sqarimeve lidhur me arsyet e kthimit të ligjit, duke theksuar se presidentja ka obligim kushtetues të bëjë të ditura mangësitë që kanë çuar në këtë vendim.
Arifi ka shtuar se Aleanca është e zhgënjyer me mënyrën se si është trajtuar kjo çështje, ndërsa ka shprehur rezerva edhe për premtimet lidhur me një strategji shtetërore për këtë proces.
Në fund, ai ka përsëritur se Aleanca do të përkrahë çdo version të ligjit që hartuesit e konsiderojnë të dobishëm për ish-krerët e UÇK-së.
“Është papërgjegjësi nga PDK, presidentja e ka obligim kushtetues me tregu pse është rikthye ligji, tani po presim se cilat janë ato mangësi, ne jemi të zhgënjyer dhe çdo qytetar është i zhgënjyer, ne po e quajmë këtë proces të papërgjegjshëm. Aleanca do ta përkrah cdo version të ligjit që e përgatisin dhe që e konsiderojnë që mund t’i ndihmojë ish-krerët e UÇK-së… Nuk pres asgjë për drejtimin e ligjit në Apel, nuk besoj në premtimet për një strategji shtetërore”, tha ai






