Koloneli në pension i FSK-së, Afrim Veseli ka deklaruar se ardhja e delegacionit të NATO-s në Kosovë është një dukuri pozitive.
“Padyshim se ardhja e tij në Kosovë dhe Ballkan lidhet me paqëndrueshmërinë e situatës së sigurisë, sidomos situata e fundit me Dodikun në Ballkan. Por më e rëndësishme se kaq është qëndrimi i Shteteve të bashkuara në këtë kohë përplasjesh të mëdha”, deklaroi Veseli për Tv Dukagjinin.
Nga ana tjetër Ish-zv.ministër i Brendshëm Valdet Hoxha thotë se vizita e të parit të NATO-s në Kosovë është vazhdimësi e Aleancës Veriatlantike për sigurinë në Ballkan.
“Me këtë vizitë shefi i NATO-s do të demonstrojë se nuk do të lejojnë asnjë hap të përshkallëzimit të situatës pavarësisht se çfarë statusi do të ketë NATO, nëse rimodelohet ajo. Vizita e Routte do të jetë konfirmim se Rusia s’ka çfarë kërkon këtu”, ka deklaruar Hoxha.
Hoxha thotë se tashmë në funksion është diplomacia e forcës.
Ai thotë se zyrtarët e lartë amerikan e kanë përsëritur disa herë se nuk do të ketë lëvizje të trupave nga Kosova.
“Megjithatë ne e kemi në dorë të mbajmë apo jo trupat e NATO-s. Trump e ka treguar se dëshiron paqe në botë dhe kjo është e mira”.
Koloneli Afrim Veseli nuk ka lënë pa kritikuar edhe ministrin e mbrojtjes për kapacitetet ushtarake që ka Kosova.
“Kolegut tim Maqedonci si duket nuk po i rri mirë petku politikë. Ushtria jonë ka tri regjimente të FSK me afër 4 mijë trupa. Por përballë i kemi katër brigada të këmbësorisë serbe. Është utopike të mendohet se ne mund të mbrojmë veten. Ne kemi një popullatë shumë të papërgatitur ushtarakisht”, ka deklaruar Veseli.