Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka kritikuar Qeverinë Kurti për mungesën e rritjes së kapaciteteve prodhuese të energjisë elektrike në Kosovë.
Përmes një postimi në Facebook, Gashi ka krahasuar zhvillimin e kapaciteteve të reja prodhuese në vendet e rajonit gjatë katër viteve të fundit, duke pretenduar se Kosova ka shënuar rritje prej vetëm gjashtë megavatësh.
Në bazë të shifrave që ka publikuar, Maqedonia e Veriut ka shtuar 1,027 megavatë, Serbia 922, Bosnja e Hercegovina 366, Shqipëria 137 dhe Mali i Zi 28 megavatë kapacitete të reja prodhuese.
Gashi e ka cilësuar këtë si bilanc të dështimit të Qeverisë Kurti në sektorin e energjisë, duke thënë se derisa vendet e rajonit po ndërtojnë kapacitete të reja, Kosova po mbetet në vendnumëro.
“Energjia nuk prodhohet me propagandë, por me investime dhe përgjegjësi”, ka shkruar Gashi.






