Arben Gashi kërkon zgjedhje në LDK

- Advertisement -

Kërkesave për zgjedhje brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës i është bashkuar edhe deputeti i zgjedhur nga radhët e kësaj partie, Arben Gashi. Dhe këto zgjedhje, Gashi i ka kërkuar për t’u bashkuar rreth një lidershipi të ri.

“Zgjedhjet nuk janë problemi. Zgjedhjet janë zgjidhja. Janë mekanizmi që rikthen legjitimitetin, besimin dhe energjinë për një cikël të ri politik”, shkroi Gashi në Facebook.

As LDK-së e as Kosovës, Gashi vlerëson se “nuk i shkon për shtat vendi i tretë”. “Kjo nuk mundet me u ba normalitet. Anëtarësia, strukturat dhe elektorati ynë kërkojnë ma shumë. Kërkojnë një LDK që fiton, që qeveris dhe që udhëheq me vizion”.

“Le t’i kthehemi burimit të forcës sonë: demokracisë, meritokracisë dhe vlerave. Le të shkojmë në zgjedhje brenda LDK-së, jo me u nda, por me u bashku rreth një legjitimiteti të ri, një lidershipi të ri dhe një misioni të përbashkët”, shtoi ai.

Duke kujtuar faktin që LDK-ja me lidershipin aktual, pra me Lumir Abdixhikun si Kryetar, nuk i ka fituar zgjedhjet, Gashi thekson se duhet të merret përgjegjësi.

“Kur për disa zgjedhje me radhë nuk arrijmë me e fitu besimin e shumicës, nuk duhet me kërku fajtorë. Duhet me kërku përgjigje. Në politikën e qendrës së djathtë, përgjegjësia asht virtyt, jo dobësi. Vetëm përmes reflektimit, meritës dhe përgjegjësisë rikthehet besimi”.

LDK-ja, thotë ai, është “ma shumë se një parti”. “Është tradita politike që i ka vu themelet Republikës, ka mbrojt demokracinë, orientimin euroatlantik dhe ekonominë e lirë. Pikërisht për këtë, duhet me qenë shembull jo vetëm në fitore, por edhe në mënyrën se si përballet me sfidat”.

“Kur mungon suksesi, duhet me mbizotëru arsyeja mbi emocionin, institucioni mbi individin dhe interesi i LDK-së e i Kosovës mbi çdo interes personal. Demokracia e brendshme nuk asht rrezik; ajo asht forca jonë ma e madhe”, beson ai.

Përveç Gashit, edhe dega e LDK-së në Pejë e Lipjan, por edhe disa figura qendrore të kësaj partie si Hykemte Bajrami dhe Avdullah Hoti, kanë kërkuar dorëheqjen e Abdixhikut pas rezultatit të dobët në zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit.

Nga ana tjetër, Abdixhiku është treguar i prerë se nuk do të jap dorëheqje, derisa i ka akuzuar disa prej atyre që po ia kërkojnë një gjë të tillë për sabotazh në zgjedhje.

Të ngjashme

Të fundit