Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari”, po transformohet nga një pikë kalimi e thjeshtë në një portë lidhëse midis Kosovës dhe botës, shkruan GazetaScanner.
Me standarde të larta, destinacione të shumta dhe përkujdesje të veçantë për udhëtarët, aeroporti ofron më shumë se një fluturim – ofron një përvojë moderne dhe mikpritëse.
Pas një periudhe të rritjes së pandalshme dhe një angazhimi të qëndrueshëm për përmirësimin e shërbimeve, aeroporti ka arritur një arritje historike: duke kaluar shifrën e mbi 4 milionë udhëtarë, raporton Scanner.
Sipas zyrtarëve të ANP “ Adem Jashari “ deri në fund të vitit pretendohet të arrihet rekordi mbi 5 milionë!
Në muajin maj 2024 , numri i udhëtarëve ishte 336,689 ndërsa në maj 2025 u rrit në 381,178 , që përfaqëson një rritje prej 13.20%.
Numri i fluturimeve në maj 2024 ishte 1,945 dhe u rrit në 2,347 në maj 2025 , që përfaqëson një rritje prej 20.70%., sipas të dhënave të fundit.
Suksesi i Aeroportit nuk është një rastësi, por rezultat i një angazhimi të vazhdueshëm për të përmirësuar infrastrukturën dhe për të ofruar shërbime që përmbushin nevojat e një populli gjithnjë e më global.
Valentina Gara, zëdhënëse e Aeroportit të Prishtinës, thotë për Scanner se ky sukses është pasqyrë e punës së palodhur dhe përkushtimit për të përmirësuar çdo aspekt të shërbimit.
“Rritja e numrit të udhëtarëve është një dëshmi e angazhimit tonë të pandërprerë për të përmirësuar shërbimet dhe për t’i ofruar udhëtarëve një përvojë sa më të mirë. Kur arritëm të shënonim 4 milionë udhëtarë, kjo ishte një arritje që na mbush me krenari dhe, gjithashtu, na shtyn të investojmë edhe më shumë për t’u ofruar udhëtarëve një shërbim të shkëlqyer”, thotë Gara.
Valentina Gara, zëdhënëse e Aeroportit të Prishtinës
Në prag të sezonës, pritet të vijnë një numër i madh i diasporës, duke shtuar kështu numrin e udhëtarëve, që kalon në këtë Aeroport.
Kështu, Aeroporti “Adem Jashari” po forcon gjithnjë e më shumë lidhjet ndërkombëtare të Kosovës, duke e vendosur atë në hartën e botës si një vend me mundësi të pashtershme për udhëtim, punë dhe zhvillim./GazetaScanner/