Kryesuesi i delegacionit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Julian Bulai tha se zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit në Kosovë u zhvilluan në mënyrë të rregullt dhe të qetë, pa incidente të mëdha, duke vlerësuar profesionalizmin e zyrtarëve zgjedhorë dhe organizimin teknik të procesit.
“Delegacioni ynë përshëndet mbarëvajtjen e rregullt dhe të qetë të zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë, më 7 qershor 2026, të cilat u zhvilluan pa incidente të mëdha. Këto zgjedhje u zhvilluan në sfondin e frustrimit dhe lodhjes së votuesve”, deklaroi Bulai në një konferencë për media pas përfundimit të misionit vëzhgues të APKE-së.
Sipas tij, në numrin e kufizuar të vendvotimeve të vëzhguara nga delegacioni, procesi zgjedhor u zhvillua në mënyrë të qetë dhe profesionale.
“Delegacioni konstatoi se zgjedhjet u zhvilluan në mënyrë të qetë dhe profesionale. Zyrtarët zgjedhorë treguan kompetencë dhe atmosfera ishte e qetë dhe e rregullt, ndërsa vendvotimet u menaxhuan në mënyrë efektive nga përfaqësues të komuniteteve shumicë dhe joshumicë”, tha ai.
Bulai vlerësoi se, pavarësisht afateve të ngushta kohore, zgjedhjet ishin teknikisht të organizuara mirë dhe gjerësisht gjithëpërfshirëse, duke lavdëruar punën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në certifikimin e listave të partive dhe kandidatëve.
“Pavarësisht afateve të ngushta, zgjedhjet ishin teknikisht të organizuara mirë dhe gjerësisht gjithpërfshirëse. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve meriton vlerësim për certifikimin gjithpërfshirës të listave të partive dhe kandidatëve”, u shpreh ai.
Megjithatë, ai tha se rënia e konsiderueshme e pjesëmarrjes në votime duhet të shërbejë si një sinjal alarmi, ndërsa vuri në dukje nevojën për përmirësimin e përfaqësimit të drejtë etnik në komisionet komunale zgjedhore dhe forcimin e shumëgjuhësisë në procesin zgjedhor, shkruan RTK-ja. Bulai përmendi gjithashtu se qasja fizike në disa vendvotime mbeti sfidë për votuesit me nevoja të veçanta, ndonëse u evidentuan përmirësime në rregullimin e asistencës për ta.






