Gjykata e Apelit ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, duke lënë në fuqi lirimin nga akuza të katër zyrtarëve të Aeroportit “Adem Jashari”, të akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare, raportoi Betimi për Drejtësi.
Themelorja më 7 mars 2025 kishte konstatuar se “nuk ishte provuar se të akuzuarit kishin kryer veprën penale për të cilën ishin ngarkuar”, çka u konfirmua më pas edhe nga Apeli.
Prokuroria kishte kërkuar prishjen e aktgjykimit, duke pretenduar shkelje të ligjit dhe vërtetim të gabuar të gjendjes faktike, si dhe shpalljen fajtor të të akuzuarve.
Mbrojtja e njërit prej të akuzuarve e kishte cilësuar vendimin si të drejtë dhe të ligjshëm, duke argumentuar se provat ishin vlerësuar plotësisht nga gjykata.
Në vendimin përfundimtar, Apeli thekson se nuk ka shkelje procedurale dhe se veprimet e të akuzuarve nuk përbëjnë veprën penale, pasi Aeroporti menaxhohet nga kompani private.
Gjykata e Apelit vendosi kështu të lërë në fuqi vendimin lirues të shkallës së parë.






