Takimi i 19 nëntorit, i planifikuar që të mbahej në Athinë të Greqisë, në lidhje me Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”, është anuluar. Se takimi mund të anulohet, VOX Kosova kishte raportuar më 9 nëntor.
Lajmi është bërë i ditur nga Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, përmes një postimi në Facebook.
Mungesa e përgjigjeve, obligime të pa përmbushura dhe delegacion i pakonfirmuar brenda afatit, janë arsyet se pse është anuluar takimi, tregoi Rama.
“Këto janë arsyet që, sipas njoftimit zyrtar të Komitetit Olimpik të Kosovës, kanë çuar në anulimin e takimit për Lojërat Mesdhetare ‘Prishtina 2030’ nga Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare”, shkroi Rama.
Pas të gjitha paralajmërimeve, Rama theksoi se “tani anulohet edhe takimi ku duhej të bëheshin përpjekjet e fundit për të mos ua humbur qytetarëve të Kosovës këtë mundësi historike”.
Rama tha se Kurti duhet të jap llogari, derisa e konsideroi këtë si “turp” të shtetit.
“Albin Kurti dhe Qeveria e Kosovës duhet të japë llogari menjëherë!!! Ky është skandal! Ky është turpi i shtetit tonë!”, përfundoi ai.
Më 9 nëntor, VOX Kosova raportoi se ky takim, sipas Komitetit të huaj s’mund të zhvillohet para se Kosova të shlyejë obligimet financiare të papaguara, të cilat vetë i ka marrë përsipër.
Madje, sipas Komitetit, kjo do të përbënte “gjestin minimal të prekshëm të përkushtimit për respektimin e dispozitave themelore të Kartës së Lojërave Mesdhetare dhe Kontratës së Qytetit Mikpritës”.
Kosova nuk i kishte kthyer përgjigje Komitetit Ndërkombëtar as për shqetësimet që këta të fundit kishin ngritur në shtator. Kjo konfirmohej në letrën që e publiko ekskluzivisht VOX Kosova.
“Përgjigjet tuaja gjithëpërfshirëse me shkrim për të gjitha çështjet e ngritura në letrën e ICMG-së të datës 21 shtator 2026 duhet t’i arrijnë ICMG-së jo më vonë se tri (3) ditë para mbërritjes së delegacionit në Athinë”, thuhet në thirrjen e Komitetit.






