Antigona Ramosaj ka folur hapur për herë të parë pas betejës së fituar me kancerin.
Ajo tregoi se momenti më i vështirë ishte dita kur mori diagnozën, duke e përshkruar si një ndarje mes jetës “para” dhe “pas” sëmundjes.
“Momenti më i errët ishte kur u ndjeva sikur jeta ime u nda në “para” dhe “pas” diagnozës. Kishte net kur frika më mbyste dhe nuk e dija nëse do ta gjeja më forcën brenda vetes. Ajo që nuk më la të dorëzohem ishte shpresa, njerëzit që më donin dhe një zë i brendshëm që më thoshte çdo ditë: “Edhe kjo stuhi do të kalojë. Besimi te Zoti dhe dëshira për ta jetuar jetën me kuptim më mbajtën në këmbë”, u shpreh Antigona.
Nëna e dy artistëve të njohur Beatrix dhe Alban Ramosaj tha se kjo përvojë ia ka ndryshuar krejtësisht mënyrën si i sheh gjërat e vogla të jetës, duke vlerësuar tashmë momentet e thjeshta si lumturinë më të madhe.
“Po, shumë. Sot i shoh gjërat e vogla si dhuratat më të mëdha: një mëngjes i qetë, një përqafim, deti, dielli, një bisedë e sinqertë. Dikur i kaloja pa i vënë re, ndërsa tani e di që lumturia nuk jeton te gjërat e mëdha“, shtoi Ramosaj për Indeksonline.
Gjatë përballjes me sëmundjen e rëndë theksoi se e ka befasuar forca te vetja.
“Më ka befasuar forca ime. Nuk e kam ditur kurrë sa shumë mund të duroj një njeri derisa jeta më vuri përballë kësaj prove. Kam kuptuar se edhe kur mendon se je thyer plotësisht, brenda teje ekziston ende një dritë që refuzon të shuhet”, deklaroi ajo.
Antigona pati edhe një mesazh prekës për veten e saj në ditën kur mori diagnozën: “Mos u frikëso. Do të qash, do të lodhesh, do të mendosh se nuk mundesh më… por një ditë do ta shikosh veten në pasqyrë dhe do të jesh krenare që nuk u dorëzove. Kjo betejë nuk do të të marrë shpirtin – do të të tregojë sa e fortë je në të vërtetë”






