Në të njëjtën kohë të vitit të kaluar, shumica e evropianëve kishin thënë se Ukraina duhet ta rimerrte tërë territorin e humbur. Megjithatë, ndryshimi i përshtypjeve do ta shtrojë kërkesën që politikanët të marrin një qasje më “realiste” që përqendrohet në përcaktimin se çfarë mund të nënkuptojë në të vërtetë një paqe e pranueshme, sipas autorëve të kësaj ankete, raporton gazeta “The Guardian”.
“Me qëllim që të argumentojnë për përkrahje të vazhduar evropiane për Ukrainën, udhëheqësit e BE-së do të kenë nevojë që të ndryshojnë se si flasin për luftën” – tha bashkautori Mark Leonard nga Këshilli Evropian për Marrëdhënie të Jashtme (ECFR).
Sipas Leonardit, shumica e evropianëve “duan dëshpërimisht që të parandalojnë një fitore ruse”, por nuk besojnë se Ukraina mund të fitojë ushtarakisht, që do të thotë se argumenti më bindës për një publik gjithnjë më skeptik është që vazhdimi i ndihmave “mund të çojë në paqe të qëndrueshme e të negociuar që e favorizon Kievin – para një fitoreje për Putinin”.
Në anketën e zhvilluar në janar në 12 shtete të BE-së – përfshirë Francën, Gjermaninë, Hungarinë, Italinë, Holandën, Poloninë, Spanjën e Suedinë – është zbuluar se kundërsulmi i ngecur i Ukrainës, shtimi i frikës për një ndryshim të politikës së ShBA-së dhe mundësia për një mandat të dytë në pushtet të ish-presidentit amerikan, Donald Trump, po e nxisnin pesimizmin për rezultatin e luftës në Ukrainë.
Anketa u krye para tërheqjes së trupave ukrainase në fundjavë nga qyteza lindore, Avdiivka, veprim që ia dha Rusisë fitoren më domethënëse ushtarake që nga kapja e qytetit Bakhmut nga mercenarët e grupit “Wagner” në maj të vitit të kaluar.
Në raportin e quajtur “Luftërat dhe Zgjedhjet: Si mund ta mbajnë përkrahjen publike për Ukrainën udhëheqësit evropianë” është zbuluar se vetëm një në dhjetë evropianë në 12 shtete besojnë se Ukraina do të fitojë në fushën e betejës, ndërsa 20 për qind e pjesëmarrësve parashikuan fitore të Rusisë. Edhe në shtetet më optimiste ku u zhvillua anketa – Poloni, Suedi e Portugali – më pak se një në pesë persona (17 për qind) besojnë se Ukraina mund të fitojë.
Në të gjitha shtetet ku u krye anketa, mendimi më i zakonshëm, që ndahet nga mesatarisht 37 për qind e pjesëmarrësve, është se lufta do të përfundojë me një zgjidhje kompromisi – edhe pse në disa shtetet, më shumë njerëz ishin të kënaqur me ketë rezultat se në disa të tjera.