8.3 C
New York
Thursday, November 28, 2024

Buy now

Anketa e IRI: Kosova e Shqipëria dominojnë rajonin për euro-optimizëm, Serbia për euro-skepticizëm

- Advertisement -

Hulumtimi i fundit shumëkombësh i Institutit Republikan Ndërkombëtar (IRI) ka nxjerrë disa të dhëna të rëndësishme për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Përgjigjet që qytetarët e Kosovës i kanë dhënë në këtë anketë në disa prej pyetjeve, e kanë nxjerrë vendin tonë në krye për çështje si anëtarësimi në NATO e BE.

Në pyetjen “Nëse sot do të zhvillohej një referendum për anëtarësimin e vendit tonë në Bashkimin Evropian, si do të votonit?”, hiç më pak se 89% e qytetarëve të Kosovës janë deklaruar se do të votonin pro.

Ndonëse Kosova ka shënuar përqindje të lartë, Shqipëria ka “shpërthyer” në këtë drejtim me 92 për qind të qytetarëve të saj që janë shprehur pro anëtarësimit në BE.

Në të tretin është renditur Mali i Zi me 79%, Bosnja me 68% aq sa ka arritur edhe Maqedonia e Veriut, ndërsa e fundit është Serbia me 40% të qytetarëve të vetë që janë deklaruar pro anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

“A është Bashkimi Evropian serioz në qëllimet e tij për t’i ofruar anëtarësim vendeve të Ballkanit Perëndimor”, ishte një pyetje tjetër në të cilën Kosova doli e para. 62 për qind e kosovarëve besojnë në këtë deklaratë. Malazezët janë në vendin e dytë me 59%, pastaj Shqipëria me 54%, Bosnja me 44%, Maqedonia e Veriut me 34% dhe Serbia me 30%.

Në pyetjen se “Cili duhet të jetë kursi i politikës së jashtme të vendit tuaj”, 87% e qytetarëve tanë e kanë zgjedhur “Vetëm pro-evropiane dhe pro-Perëndimit”.

Pas Kosovës, menjëherë është renditur Shqipëria me 82 për qind të qytetarëve që mendojnë njëjtë.

Në vend të tretë ka dalë Bosnja e Hercegovina, por me një përqindje shumë më të ulët se dy shtetet shqiptare: 39%; pastaj Mali i Zi me 36%, Maqedonia e Veriut me 31 për qind dhe e fundit në listë doli Serbia si më euro-skeptikja, me vetëm 10% të qytetarëve të saj që kanë zgjedhur rrugën evropiane.

Edhe në pyetjen “Sipas jush, e ardhmja e vendit tonë shërbehet më së miri duke pasur çfarë marrëdhëniesh me NATO-n”, kosovarët kanë dalë të parët me 88% që kanë shprehur dëshirën për anëtarësim të plotë në këtë organizatë.

Shqipëria doli e dyta me 85%, pastaj Maqedonia e Veriut me 52%, Bosnja me 50%, Mali i Zi me 41 për qind dhe në fund, si rëndom, Serbia me vetëm 21 për qind të qytetarëve që duan anëtarësim të plotë në NATO.

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit