Pas nisjes së hetimeve nga Prokuroria lidhur me dyshimet se ambasadori Martin Berishaj ka ndërhyrë në procesin zgjedhor nga diaspora, kjo është konfirmuar edhe nga anëtari i KQZ-së Arianit Elshani.
Elshani ka thënë se ka informacion se zarfet me fletëvotime janë tërhequr pa praninë e vëzhguesve të partive politike.
Sipas tij, kjo gjë është në kundërshtim me procedurat e KQZ-së.
“Sipas informacioneve që kam pranuar, po është e vërtetë që zarfet me fletëvotime janë tërhequr pa praninë e vëzhguesve të partive politike, dhe kjo gjë është në kundërshtim me procedurat e KQZ. Ne kemi kërkuar informacione shtesë dhe sqarime pse dhe si ka ndodhur një gjë e tillë” ka thënë ai për Insajderin.
Elshani ka thënë se ato zarfe qe tërhiqen pa përfillur procedurat e KQZ do të anulohen.
Prokuroria nis hetimet ndaj Martin Berishaj
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se ka filluar hetimet pas raportimeve se ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, i ka marrë zarfet me fletëvotime nga kutia postare në Zagreb dhe i ka dërguar në ambasadën atje.
Prokuroria thotë se do të hetohet nëse ka elemente të ndonjë vepre penale që ndërlidhet me procesin e zgjedhjeve, më qëllimin që të ruhet procesi.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton se në vazhdën e aktiviteteve për ruajtjen dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, pas raportimeve për keqpërdorimet e mundshme të Ambasadorit M.B. rreth procedurës së transportimit të votave të qytetarëve të Republikës së Kosovës në diasporë, ka filluar ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme hetimore nëse në raportimet në fjalë përmbushen elementet e ndonjë vepre penale që ndërlidhet me procesin e zgjedhjeve, me qëllim të ruajtjes së këtij procesi.”
Në njoftim thuhet se Prokurori i Shtetit, në bashkëpunim dhe koordinim me të gjitha organet ligjzbatuese, do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme, me qëllim të parandalimit të dëmtimit të procesit zgjedhor.
Lidhur me këto dyshime ka reaguar edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka deklaruar për Insajderin se do të vlerësohet nëse tërheqja e pakove me fletëvotime nga kutia postare është bërë sipas akteve nënligjore.
Ai tha se KQZ do të marrë një vendim përkatës dhe meritor pas shqyrtimit të situatës.
“Lidhur me lajmin që po qarkullon për tërheqjen e pakove me fletëvotime nga kutia postare e KQZ-së në Zagreb, sqarojmë se do të vlerësohet nëse kjo është bërë sipas akteve nënligjore dhe KQZ do të marrë vendim meritor,” ka thënë Elezi./Insajderi