Ai tha se miratimi i ftesës për t’a antarësuar Kosovën në Këshillin e Evropës në Komitetin Politik, ka qenë një kompromis i ndërlidhur direkt me regjistrimin e pronave të Manastirit të Deçanit.
Hoxhaj tha se kjo logjikë do të vazhdojë edhe më tutje, pasi sipas shteteve anëtare kyçe të Këshillit të Evropës, Kosova nuk mund të antarësohet pa e miratuar draft-statutin e Asociacionit.
“Së pari më duhet të them se një anëtarësim i mundshëm i Kosovës në Këshillin e Evropës, për dikë i cili ka qenë rreth 7 vite Ministër i Jashtëm dhe ka qenë pjesë e negociatave në Vjenë, për mua personalisht do të ishte lajm i madh dhe i gëzohem këtij lajmi pavarësisht asaj nëse jam në opozitë apo qeveri.Në fund të ditës do të ishte konsolidim i shtetit të Kosovës dhe qytetarët e Kosovës kanë përfitime konkrete . Mirëpo çdokush duhet ta kupton që hapi i parë që është bërë, miratimi i ftesës për t’a antarësuar Kosovën në Këshillin e Evropës në Komitetin Politik, ka qenë një kompromis i ndërlidhur direkt me regjistrimin e pronave të Manastirit të Deçanit. Kolegët të cilët janë në qeveri do të duhej t’ua shpjegonin qytetarëve të Kosovë se në këmbim të ftesës është bërë regjistrimi i pronave të Manastirit të Deçanit.Duket se kjo logjikë do të vazhdon edhe më tutje meqë Kosova nuk do të mund të antarësohet, sipas shteteve anëtare kyçe të Këshillit të Evropës, pa e miratuar draft-statutin e Asociacionit”.
“Në bazë të asaj se sa unë kam parë prej komunikimit që ka patur qeveria e Kosovës me Dora Bakoyannis, kolegët në qeveri kanë mendu se vetëm me regjistrimin e pronave të Manastirit të Deçanit i plotësojnë kushtet. Kështu i’u është thënë duket edhe deputetëve të cilët kanë qenë në Asmblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, që kusht i parë do të ishte regjistrimi i pronave të Manastirit të Deçanit. Por ndërkohë duket që ka dalë si kusht edhe kërkesa për t’a miratuar Draft-Statutin e Asociacionit.” tha Hoxhaj.
I pyetur nëse draft-statuti ishte në rekomandimet e Dora Bakoyannis, Hoxhaj u përgjigj kështu.
“Në raportin i cili është publikuar më vonë, po. Në raportin i cili u publikua më vonë themelimi i Asociacionit shihet si parakusht bazik por për më shumë edhe në letrën që ka dërguar zonja Osmani, Albin Kurti dhe Glauk Konjufca dhe një listë të zotimeve që i merr Kosova, në këtë listë të zotimeve është edhe themelimi i Asociacionit” tha Hoxhaj në Blic Interview.