Andin Hoti nga Lëvizja Vetëvendosje ka publikuar një shkrim me akuza ndaj partive opozitare i cili ka nxitur shumë reagime, madje, edhe atë të deputetes Blerta Deliu.
Hoti në një postimin e publikuar në rrjetin social Facebook, ka thënë se “PDK dhe AAK kanë zgjedhur rrugën më të lehtë për ta, por jo për popullin dhe Kosovën”.
Sipas tij, këto parti “po harrojnë që liderët e partive politike nuk janë drejtorë të kompanive të këpurdhave”.
“PDK dhe AAK kanë zgjedhur rrugën më të lehtë për ta, por jo për popullin dhe Kosovën: t’i çojnë duart lart, të tërhiqen nga çdo bisedim dhe pastaj, nga distanca, të tregojnë me gisht të tjerët.
Por, po harrojnë që liderët e partive politike nuk janë ‘drejtorë të kompanive të kërpudhave’. Udhëheqin parti që kanë marrë votën e qytetarëve dhe mandate në Kuvendin e Republikës. Kanë përgjegjësi politike, demokratike e institucionale të ulen në tavolinë dhe të diskutojnë për krijimin e institucioneve të vendit”, ka shkruar ai.
Hoti ka pretenduar se Kurti ka urdhëhequr një qeverisje “për ta forcuar sovranitetin e vendit”, dhe sipas tij, “lojërat e ulëta politike” janë “të neveritshme”.
Ky shkrim i tij ka marrë shumë reagime dhe kritika nga komentuesit, ndërsa në mesin e tyre ka qenë edhe një koment nga deputetja e PDK-së, Blerta Deliu.
“Andin Hoti, a je ti?!”, ka komentuar Deliu.







