Leon Hartwell, analist në Qendrën për Analiza të Politikave Evropiane, ka komentuar takimin e djeshëm në mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në kuadër të dialogut në Bruksel.
Hartwell, që është pjesë edhe e universitetit të famshëm LSE, i ka thënë “Zërit të Amerikës” se nuk është befasuar nga mungesa e përparimit dje. Sipas tij, që një kohë dialogu është në ngërç.
“Nuk jam i befasuar që nuk ka pasur përparim. Është një lloj trajektore e dialogut që ka kohë që është në ngërç. Dhe ky jo domosdoshmërisht vetëm për fajin e ndërmjetësve… sepse suksesi i tyre varet nga palët dhe nëse palët nuk duan të lëvizin në një drejtim të caktuar, atëherë nuk ka për të ndodhur.” – i tha Zërit të Amerikës Hartwell, analist pranë Qendrës për Analiza të Politikave Evropiane dhe Shkollës Ekonomike të Londrës.