Insistimin për hapjen e Urës së Ibrit nga ana e Qeverisë së Kosovës, përkundër kundërshtimit të BE-së dhe ShBA-së, njohësit e çështjeve politike po e konsiderojnë si “spektakël elektoral” nga Lëvizja Vetëvendosje pasi që vendi është në prag të zgjedhjeve, raporton Ekonomia Online.
Ata kanë thënë se VV-ja është duke e shfrytëzuar këtë situatë, sidomos raportin e keq mes shqiptarëve dhe serbëve, për të fituar votat e qytetarëve.
Ish-konsulli i përgjithshëm i Kosovës në Kanada, Donat Syla, ka thënë se veprimet e njëanshme të Qeverisë mund ta përkeqësojnë situatën deri në atë pikë që “të mos ketë kthim mbrapa” dhe se integrimi i veriut nuk mund të bëhet në këtë mënyrë.
Ai ka thënë se është iluzion që Kosova mund ta shtrijë autoritetin e saj në çdo cep të vendit pa koordinim me aleatët.
“Është iluzion të mendohet se ne mund të shtrijmë autoritetin e Kosovës në çdo cep të vendit pa koordinim me aleatët tanë të cilët janë edhe sponsorë të Pavarësisë së Kosovës. Do të doja të ishte ndryshe, mirëpo ky është realiteti. Gjatë gjithë rrugëtimit tonë, kemi qenë në koordinim me partnerët ndërkombëtarë specifikisht me ShBA-në”.
“Veprimet e njëanshme qojnë në përkeqësimin e situatës dhe kthimin në një situatë e cila mund të mos ketë kthim mbrapa. Ne kemi dhënë një sinjal duke i përjashtuar dhe frikësuar serbët, kështu që edhe opozita edhe presidenca duhet ta bëjnë të qartë këtë qëndrim të tyre dhe nuk duhet t’i bashkohen korit të thirrjeve nacionaliste për të ndërtuar një narracion apo një kauzë e cila absolutisht nuk qëndron. Nuk mund të bëhet integrimi i veriut në këtë formë”, ka thënë ai.
Syla ka thënë se Qeveria me këtë qasje nuk është duke e bërë integrimin e serbëve, por është duke bërë spektakël elektoral pasi që vendi është në prag të zgjedhjeve.
Ai ka shtuar se prova më e mirë për këtë është pjesëmarrja e vogël e serbëve të Kosovës në zgjedhjet e kaluara në katër komunat e veriut.
“Ju po e shihni që vazhdimisht kemi sulme sporadike me bomba, eksplozivë, gjetje të armëve dhe mendoj që kjo është një heshtje e përkohshme e strukturave që dirigjohen direkt nga Vuçiqi për shkak se i konvenon paraqitja si viktimë e qytetarit serb të Kosovës. Dëshmia më e qartë për këtë janë zgjedhjet e fundit që u mbajtën ku me thirrjen nga Vuçiqi as edhe një përqindje minimale e qytetarëve serbë të Kosovës nuk iu përgjigjën thirrjeve për zgjedhje në katër komunat e veriut. Me një fjalë nëse vazhdojmë me këtë qasje vetëm jemi duke e thelluar hendekun dhe nuk jemi duke bërë integrimin e serbëve, por jemi duke bërë spektakël elektoral pasi që jemi në prag të zgjedhjeve, por kjo aspak nuk do ta ndryshojë situatën”, ka thënë ai.
Ndërsa, njohësi i çështjeve politike, Arbnor Sadiku, ka thënë se reagimet e vendeve të BE-së dhe ShBA-së kundër hapjes së Urës së Ibrit kanë qenë për të shmangur ndonjë konflikt në atë pjesë të vendit.
Sipas tij, arsyet janë politike sepse nëse hapet ura, “serbët lokalë, të ndikuar nga qeveria e Serbisë dhe Lista Serbe, nuk do të jenë produktivë në themelimin e asociacionit, as në jetën politike dhe as në regjistrimet e popullsisë”.
Ai ka shtuar se kërkesat e ndërkombëtarëve kanë qenë të qarta, fillimisht të formohet asociacioni i komunave me shumicë serbe e pastaj të bëhet hapja e urës.
“Ka pasur një pakënaqësi nga ana e QUINT-it dhe ambasadës së ShBA-së në Kosovë, madje duke kërcënuar që nëse Qeveria merr veprime të njëanshme do të vendoset KFOR-i në urë dhe nuk do të lejohet që të hapet ura. Arsyet janë më tepër politike sepse në rast se ura hapet jam i bindur se serbët lokalë të ndikuar nga qeveria e Serbisë dhe Lista Serbe nuk do të jenë produktivë në themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe po ashtu nuk do të participojnë në jetën politike dhe në regjistrimet e popullsisë që do të ndodhin kurdoherë në Kosovë. Prandaj për ta shmangur këtë, bashkësia kombëtare duhet të punojë që t’i bëjë bashkëpunues popullatën serbe në veriun e Kosovës. Ata kanë pritur që të ketë një dialog mes Republikës së Kosovës dhe serbëve lokalë që jetojnë këtu. Kjo nuk ka ndodhur dhe nuk kemi pasur themelim të asociacionit siç është kërkuar nga ata. Kërkesa është e qartë nga bashkësia kombëtare që së pari të themelohet asociacioni i komunave me shumicë serbe e pastaj hapja e urës, kurse Kosova synon së pari që ura të hapet e pastaj asociacioni të themelohet pas zgjedhjeve nacionale që pritet të mbahen në janar ose shkurt të vitit 2025”, ka thënë ai për EO.
Sadiku ka thënë se veprimet e Qeverisë i shërbejnë klimës parazgjedhore dhe këtij viti elektoral.
Sipas tij, partia në pushtet është një parti që i shfrytëzon në mënyrën më të mirë të mundshme këto situata dhe raportin e keq mes shqiptarëve dhe serbëve në mënyrë që të fitojë sa më shumë vota.
“Praktikisht ky është një lloj populizmi elektoral. E gjithë situata në veri dhe të gjitha këto ekskursione ne veri dhe ne Ujman i shërbejnë retorikës politike dhe popullsitë që i shërben klimës parazgjedhore dhe këtij viti elektoral. Lëvizja VV është një parti që veçanërisht i shfrytëzon këto situata e sidomos raportin e keq mes shqiptarëve dhe serbëve në mënyrën më të mirë të mundshme për të fituar vota dhe për ta rritur numrin e votave të partisë së saj dhe për të fituar sa më shumë që është e mundur në Kosovë”, ka thënë ai.