Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kombet e Bashkuara, Mike Waltz, deklaroi se Uashingtoni është i gatshëm të ndërmarrë veprime ushtarake kundër infrastrukturës iraniane që përdoret për kontrollin e Ngushticës së Hormuzit, nëse kjo do të jetë e nevojshme.
Në një intervistë për Fox News, Waltz paralajmëroi se Irani nuk duhet të llogarisë në mungesën e reagimit nga administrata amerikane.
“Nëse regjimi iranian beson qoftë edhe për një sekondë se presidenti Donald Trump do të qëndrojë duarkryq, ndërsa Irani sulmon anijet ndërkombëtare ose bazat tona pa u përballur me pasoja, atëherë po bën një gabim të madh. Këtë e kanë kuptuar qartë edhe gjatë netëve të fundit”, deklaroi ai.
Sipas ambasadorit amerikan, SHBA-ja do të vazhdojë të çmontojë, edhe me mjete ushtarake nëse kërkohet, infrastrukturën që Irani synon të përdorë për të kontrolluar në mënyrë të paligjshme një nga korridoret detare më të rëndësishme të botës.
Waltz theksoi gjithashtu se çështja e Ngushticës së Hormuzit nuk është vetëm një shqetësim i Shteteve të Bashkuara.
“Nuk është vetëm Uashingtoni që ka problem me përpjekjet e Iranit për të kontrolluar Hormuzin. Ky është një shqetësim për të gjithë bashkësinë ndërkombëtare”, u shpreh ai. /Panorama/






