Komandanti i Gardës Kombëtare të FSK-së, gjeneral brigade Naim Haziri ka pritur sot në vizitë ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves.
Gjeneral Haziri e njoftoi ambasadorin për të arriturat, sfidat, kapacitetet operacionale dhe ato trajnuese që ka Garda Kombëtare.
“Gjatë takimit fokus i veçantë ishte bashkëpunimi i deritashëm në mes FSK/Gardës Kombëtare dhe Mbretërisë së Bashkuar, kontributi në ngritjen e kapaciteteve operacionale specifikisht reagimi ndaj fatkeqësive, bashkëpunimit në të ardhmen me qëllim të ofrimit të një ambienti më të sigurt për jetën e qytetarëve”, thuhet në njoftimin e FSK-së.
Ambasadori ka vizituar Qendrën Ndërkombëtare të Trajnimit për Kërkim Shpëtim(QNTKSH) të Gardës Kombëtare ku pa nga afër kapacitetet e kësaj qendre dhe me këtë rast është bërë pranim- dorëzimi i donacionit të dhuruar nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar për QNTKSH, ku përfshihen pajisje specialistike për Kërkim Shpëtim -Ujra e që është donacioni i tretë për QNTKSH nga Ambasada e Britanisë së Madhe.
Gjithashtu gjeneral Haziri falënderoi për ndihmën e vazhdueshme që Mbretëria e Bashkuar ka dhënë për FSK-në, e në veçanti për Gardën Kombëtare.