Ambasadori i Kosovës në Portugali, Ylber Kryeziu, në takimin lamtumirës të tij me presidentin e Portugalisë, Marcelo Rebelo de Sousa, i ka lënë atij një pikturë dhuratë.
Kryeziu ka pikturuar qytetin e tij, Prizrenin dhe tha se dhuratën e bëri në shenjë mirënjohje si ambasadori i parë kosovar në këtë shtet, raporton Gazeta Express.
“Pikturova edhe vendlindjen time dhe kësaj radhe për Presidentin e Republikës, Shkëlqesinë e Tij, Marcelo Rebelo de Sousa. Prizreni, mbi tokën dimërore dhe nën dritën e hënës që mban të zgjuar pasurinë monumentale të të gjitha kohërave. Një shenjë mirënjohjeje për Pallatin Presidencial ku hodha hapin tim të parë si Ambasador i parë rezident i Kosovës në Portugali”.
Ai tha se është i lumtur që po e kryen mandatin me zhvillim të marrëdhënieve Kosovë-Portugali.
“Dhe ndërsa po largohem nga aty ku fillova, e ndjej se jam i lumtur, mirënjohës dhe krenar për të gjitha arritjet përgjatë këtyre viteve dhe për zhvillimin e gjithanshëm të marrëdhënieve dypalëshe, Kosovë-Portugali. Falënderova Presidentin Marcelo për mbështetjen e palëkundur dhe kujdesin që ka treguar për popullin dhe shtetin e Kosovës. Një selfie për ne, një foto që më kishte munguar nga shumë të tjerat që kam me Presidentin e njohur nga thjeshtësia dhe fisnikëria e Tij, një personalitet i shquar me tërësi virtytesh nga madhështia e Tij. Le të vazhdojë të lulëzojë miqësia dhe lidhja jonë. Viva Portugal! Viva Kosova!”, ka shkruar ai.