Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë e ka vlerësuar sërish publikisht bashkëpunimin me Prokurorinë Speciale, këtë herë për një rast të krimit kibernetik ndërkombëtar.
“Një tjetër shembull i bashkëpunimit të suksesshëm mes SHBA-së dhe Kosovës në luftën kundër krimit kibernetik ndërkombëtar. Faleminderit Prokurorisë Speciale të Kosovës, institucioneve të Kosovës dhe të gjithë atyre që u përfshinë për bashkëpunimin e shkëlqyer në vënien e përgjegjësve para drejtësisë!”, thuhet në reagimin e sotëm.
Edhe FBI ka lajmëruar për suksesin e këtij bashkëpunimi. Lënda që nisi në Kosovë nga Prokuroria Speciale, përfundoi me të dënuar në ShBA.
“Ardit Kutleshi, shtetas i Kosovës, e pranoi fajësinë për krijimin dhe drejtimin e Rydox-it, një tregu në internet ku shiteshin mjete për krime kibernetike dhe të dhëna të ndjeshme, përfshirë identitetet dhe të dhënat e vjedhura të hyrjes në llogari të mijëra njerëzve. FBI-ja dhe partnerët e saj të huaj e mbyllën këtë treg, ndërsa tani krijuesi dhe drejtuesi i tij do të përballet me drejtësinë.” – shkruan FBI.
Nacionale ka mësuar se krejt ky operacion i përmendur nga FBI, kishte nisur në Kosovë, nga prokurori i Prokurorisë Speciale, Milot Krasniqi.
Falënderimi vjen pak ditë pasi e ngarkuara me punë e Ambasadës amerikane, Anu Prattipati, u takua me kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj.
Takimi i bërë publik më 25 shtator ishte i dyti mes tyre brenda dy javësh.
Ambasada njoftoi atëherë se kishin diskutuar vazhdimin e bashkëpunimit dhe luftën kundër kërcënimeve ndaj sigurisë kombëtare amerikane.
Në mesin e fushave të bashkëpunimit, ajo përmendi terrorizmin, kontrabandën e drogës dhe migrantëve, krimin kibernetik dhe organizatat kriminale transnacionale.
Mesazhi i sotëm lidhet pikërisht me një nga fushat që ambasada kishte veçuar pas takimit me Isufajn.
Përfaqësia amerikane e cilëson rastin një tjetër shembull suksesi dhe i falënderon veçmas Prokurorinë Speciale dhe institucionet e tjera të Kosovës.
Ndërkohë, titullarët e institucioneve në Kosovë, duke nisur nga Kryeministri Albin Kurti kishte kërkuar në maj një kryeprokuror të ri, duke thënë: “duhet kryeprokuror i ri, jo Blerim Isufaj”.
Kurti madje gjatë fushatës elektorale kishte paralajmëruar edhe shpërbërjen e kësaj Prokurorie, duke premtuar prokurori tjetër.
Më 2 shtator, Këshilli Prokurorial i Kosovës nuk e miratoi raportin e punës së Prokurorisë Speciale për vitin 2025.
Përkundër këtyre zhvillimeve, përfaqësuesja amerikane vazhdoi takimet me Isufajn, ndërsa ambasada e përshkroi bashkëpunimin me institucionin që ai drejton si të suksesshëm.
Ndryshe, edhe operacioni për zbardhjen e krimit të luftës të 23 intelektualëve në Mitrovicë udhëhiqet nga Prokuroria Speciale./nacionale.com






