Altin Krasniqi, djali i Jakup Krasniqit i është drejtuar protestuesve në Drenas që janë mbledhur për të kundërshtuar vendimin dënues të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Krasniqi tha se me mbrojtjen e UÇK-së, mbrohet e kaluara dhe e ardhmja e shtetit si dhe historia e drejtë e popullit.
“Aktgjykimi në Hagë nuk është çështje që prek individ, ai prek një kapitull të historisë sonë. Një histori të shkruar me gjak, sakrificën e mijëra njerëzve që u vranë, u masakruan, u dhunuan dhe u dëbuan nga regjimi dhe forcat serbe. Prandaj, sot ne duhet të ngrihemi përsëri në këmbë, jo për hakmarrje, por për të mbrojtur të vërtetën, dinjitetin e historisë sonë. Ata që dikur na mbrojtën ne, sot kanë nevojë që ne të mos heshtim duke mbrojtur luftën e drejtë të UÇK-së ne nuk po mbrojmë vetëm të kaluarën, po mbrojmë edhe të ardhmen e shtetit tonë, kujtesën e brezave dhe të drejtën tonë për të treguar historinë ashtu siç është. UÇK bëri luftë të drejtë, sot duhet të lëmë mënjanë të gjitha dallimet politike. Të gjitha partitë duhet të bashkohen për një çështje që është më e madhe se secila parti, lavdi të gjithë atyre që ranë për lirinë e Kosovës, rroftë Kosova, rroftë UÇK-ja”, tha ai.






