Alessandra Ambrosio ka zbuluar unazën e fejesës pas propozimit për martesë nga partneri i saj, Buck Palmer, dhe bizhuteria luksoze mund të ketë një vlerë marramendëse, deri në 500 mijë dollarë.
Modelja 45-vjeçare dhe Palmer, me të cilin është në një lidhje prej dy vitesh, njoftuan fejesën pas propozimit romantik gjatë pushimeve të tyre në Indonezi.
Ambrosio ndau në rrjetet sociale një fotografi të unazës solitare që i dhuroi partneri i saj, ndërsa në një postim të dytë, të publikuar të enjten, më 13 gusht, tregoi nga afër detajet e bizhuterisë.
Sipas ekspertëve të bizhuterive që folën për Page Six Style, unaza duket se ka një diamant me peshë deri në 8 karat dhe vlera e saj mund të arrijë deri në gjysmë milioni dollarë.
Olivia Landau, themeluese e The Clear Cut, vlerësoi se diamanti mund të jetë 5 deri në 7 karat. Ajo e cilësoi atë si një nga diamantet më të kërkuara në treg dhe tha se një gur i tillë mund të kushtojë nga 200 mijë deri në 500 mijë dollarë.
Fejesën, Ambrosio e bëri publike të mërkurën përmes një postimi të përbashkët me partnerin e saj në Instagram.
“Do të të zgjidhja në këtë jetë dhe në çdo jetë. Përgjithmonë, dashuria ime”, shkroi modelja krahas fotografive nga momenti romantik.
Në imazhet e publikuara shihet edhe surpriza e përgatitur nga Palmer në plazh, ku ai kishte krijuar një zemër të madhe me lule të kuqe për t’i bërë propozimin për martesë.
Pas dy vitesh lidhje, çifti duket se po përgatitet tashmë për hapin e radhës, ndërsa unaza luksoze është bërë një nga detajet më të komentuara të fejesës së tyre.






