Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, u ka bërë thirrje shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit që të marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit në Serbi dhe të mbështesin Koalicionin Shqiptar, i cili garon me numrin 17.
Haxhiu ka theksuar se bashkimi i partive shqiptare në një listë të vetme përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt forcimit të zërit politik të shqiptarëve në institucionet e Serbisë.
Në një mesazh të publikuar në rrjetet sociale, ajo ka vlerësuar se partitë shqiptare tashmë e kanë përmbushur pjesën e tyre duke u bashkuar në një koalicion, ndërsa tani u takon qytetarëve që këtë bashkim ta përkrahin përmes votës.
Sipas Haxhiut, përfaqësimi politik, mbrojtja e të drejtave të shqiptarëve dhe kundërshtimi i padrejtësive janë çështje me rëndësi të veçantë për shqiptarët e Luginës së Preshevës.
Ajo u ka bërë thirrje edhe shqiptarëve që jetojnë dhe punojnë në Kosovë, por që kanë të drejtë vote në Serbi, që të udhëtojnë drejt Luginës dhe të marrin pjesë në procesin zgjedhor.
Haxhiu ka nënvizuar se pjesëmarrja e qytetarëve në votime është e rëndësishme për përforcimin e përfaqësimit të shqiptarëve në Kuvendin e Serbisë.
Në këto zgjedhje, partitë shqiptare të Luginës së Preshevës do të garojnë me një listë të përbashkët, të quajtur Koalicioni Shqiptar.
Ndërkaq, në zgjedhjet parlamentare të vitit 2020, partitë shqiptare garuan të bashkuara dhe fituan tri ulëse në Kuvendin e Serbisë, i cili përbëhet nga 250 deputetë.





