Deputeti i Vetëvendosjes, Mefail Bajqinovci, ka vazhduar me lavdatat ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
Ai në RTV Dukagjin, ka thurur lavde ndaj liderit të tij duke zgjedhur fjalët më të mira.
“Albin Kurti i raportet shumë të afërta me të gjithë deputetët. Albin Kurti është një njeri shumë i informuar, jashtëzakonisht i informuar edhe për çdo temë e ka përgjigjen edhe është shumë i thellë dhe mendoj që lum Kosova që e ka kryeministër që të mos ketë shqetësim mos të bëhet ndonjë koncesion. Është i vetmi njeri që e ka pranuar edhe Vuçiqi që është i vështirë në diskutime dhe bisedime. Është duke e menaxhuar vendin ashtu sic ka premtu dhe une besoj se brenda një kohe të shkurt Kosova do të jetë e barabartë me shtetet sa i përket korrupsionit dhe krimit të organizumë brenda dy vitet të ardhshme do të krahasohemi me shtetet e Bashkimit Evropian e jo siç kemi qenë para dy vjeteve me Sudan.” – ka thënë ai.
Më tej, Bajqinovci ka thënë se Kurti është i afërt prandaj sipas tij edhe shprehet “dashuria” ndaj tij.
“Albin është njeri i afërt, Albin bën hajgare shumë, kush rrin me të e sheh se sa është i afërt, të gjithë ata që e njohin dhe për këtë arsye shkruajnë”, ka thënë ai.
Tutje, deputeti i VV-së, ka thënë se Albini nuk ka shtëpi dhe krejt çfarë ka bërë është për Kosovë.
“Është i vetmi njeri që nuk ka asgjë në trashigimin e tij është pa shtëpi krejt çka bënë është për popullin dhe shtetin e Kosovës… Albin është një prej liderëve që mendoj se Kosovën do ta çojë shumë përpara, hapat e parë janë këto dy vite…” – ka thënë ai.
Duhet kujtuar se kryeministri i vendit banon në një shtëpi me qira të cilën e paguan 250 euro në muaj përkundër që ajo është raportuar të jetë e madhe 230 metra katrorë.
Në anën tjetër, VV ka qenë shënjestër e kritikave për kultin e personalitetit edhe javën e kaluar kur u vërtetua se kryetari i Kamenicës, Kadri Rahimaj, e mbante një fotografi/pikturë të Kurtit si luan.