Blerim Isufaj është shkarkuar nga posti i kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.
Ky vendim është marrë sot në mbledhjen e Këshillit Prokurorial i Kosovës.
Pro shkarkimit të Isufajt kanë votuar 6 anëtarë, kurse vetëm një e ka kundërshtuar shkarkimin e tij.
Isfuaj ka qenë njeriu më i sulmuar në sistemin e drejtësisë nga kryeministri Albin Kurti dhe zyrtarët e lartë të VV-së.
Sulmet e vazhdueshme të Albin Kurtit kishte bërë që ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të mos e dekretonte Isufajt për kryeprokurori të Shtetit në tetor të vitit 2023.
Se fundi, Isufajt presioni i ishte shtuar edhe Këshillit Prokurorial i Kosovës
Në mbledhjen e Këshilli Prokurorial i Kosovës, e cila ishte mbajtur në fillim të muajit shtator, Isufaj ishte ftuar të raportonte për punën e Prokurorisë Speciale gjatë vitit 2025.
Edhe në këtë mbledhje ishte vërejtur presioni i anëtareve të KPK-së ndaj prokurorit Isufaj.
Pas raportimit, anëtarët e KPK-së i kanë drejtuar Isufajt një sërë pyetjesh dhe kritikash për punën e PSRK-së, të cilat dukeshin tendencioze.
Në një moment, kryeprokurori e ka krahasuar mënyrën e pyetjeve me një komision hetimor.
“S’po më duket që jam tu raportu para KPK-së, po sikur para një komisioni hetimor”, ka deklaruar Isufaj.
Pas raportimit, anëtari i KPK-së, Visar Krasniqi, kishte thënë nuk kishte marrë përgjigje të kënaqshme në pyetjet që ia kishte drejtuar Isufajt, veçanërisht lidhur me zbatimin e ndarjes elektronike të lëndëve.
Në fund të mbledhjes, nuk ishte votuar raporti i Blerim Isufajt.
Kundër raportit kishin votuar Dardan Vuniqi, Elza Bajrami-Kastrati, Arlinda Muqa dhe Visar Krasniqi, ndërsa pro raportit kishin votuar kryesuesi i KPK-së, Arian Gashi, Kryeprokurori i Shtetit Zejnullah Gashi dhe anëtari Milot Krasniqi.
Edhe në mbledhjen e djeshme të Këshillit Prokurorial të Kosovës është parë qasja negative e këtij institucioni ndaj prokurorit Isufaj.
Gjatë prezantimit të raportit krahasimor lidhur me efikasitetin e prokurorive për zgjidhjen e lëndëve 2023-2025, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ishte renditur e fundit.






