Anela Osmani është marrë e pandehur nga Prokuroria e Tiranës për veprën penale të “Mashtrimit”, pas kallëzimit të bërë nga Kejvina Kthjella lidhur me një shumë prej 8 mijë eurosh.
Sipas dosjes hetimore, Osmani dyshohet se i ka marrë Kthjellës shumën e parave me premtimin se do t’ia ruante përkohësisht, por më pas nuk ia ka kthyer.
Çështja është hetuar prej disa muajsh nga Prokuroria e Tiranës, ndërsa sipas raportimeve, prokurori Bledar Valikaj ka vendosur marrjen e Osmanit si të pandehur dhe dërgimin e dosjes në gjykatë.
Rasti është denoncuar në Policinë e Tiranës në fillim të muajit maj 2026, ndërsa më 7 maj materialet hetimore i janë referuar prokurorisë.
Sipas kallëzimit të Kejvina Kthjellës, 8 mijë eurot ishin kursime të krijuara nga të ardhurat e saj nga puna. Ajo pretendohet se ia kishte lënë shumën për ruajtje shoqes së saj, Anela Osmani, përpara se të largohej drejt banesës së të afërmve të saj në Lezhë.
Kthjella ka deklaruar se kishte vendosur t’i largonte paratë nga banesa e saj në Tiranë, pasi në shtëpi do të shkonte një punonjëse pastrimi, ndaj kishte preferuar t’ia linte përkohësisht Osmanit.
Sipas materialeve të çështjes, paratë nuk i janë kthyer më.
Gjatë komunikimeve mes tyre, Osmani pretendohet se i ka thënë Kthjellës se shumën e kishte vendosur në një kasafortë, por se nuk mund ta hapte atë pasi kishte harruar kodin.
Fillimisht, prokuroria kishte kërkuar ndaj Osmanit masën e sigurisë “detyrim për paraqitje”, ndërsa pas përfundimit të hetimeve ajo është marrë zyrtarisht e pandehur për akuzën e “Mashtrimit”.
Tashmë pritet që çështja të shqyrtohet nga gjykata, e cila do të vendosë mbi përgjegjësinë penale të saj.






