Aksion para Qeverisë, profesionistët shëndetësorë ofrojnë kontrolle falas për qytetarët

- Advertisement -

Iniciativa “Për dinjitetin e profesionistëve shëndetësorë” ka nisur sot një aksion simbolik para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, ku profesionistët shëndetësorë po ofrojnë shërbime mjekësore falas për qytetarët.

Aksioni po mbahet në sheshin “Skënderbeu”, duke filluar nga ora 12:00 dhe pritet të vazhdojë deri në 15:30, me qëllim të tërheqjes së vëmendjes së institucioneve ndaj kërkesave të studentëve të Fakultetit të Mjekësisë dhe profesionistëve të rinj shëndetësorë.

Ky aktivitet vjen pas protestës së mbajtur të shtunën para Ministrisë së Shëndetësisë, ku protestuesit kërkuan punësim të profesionistëve shëndetësorë të licencuar, konkurse transparente për specializime dhe pagesën e stazhit gjashtëmujor.
Gjatë protestës së së shtunës, përfaqësuesi i iniciativës, Besfort Racaj, deklaroi se në Kosovë janë 534 doktorë të papunë, ndërsa 650 mjekë kanë emigruar gjatë viteve 2021–2026.

Përmes aksionit të sotëm, organizatorët synojnë të sensibilizojnë institucionet për mungesën e mundësive të punësimit dhe perspektivës profesionale për të rinjtë në sektorin shëndetësor, si dhe të kërkojnë përgjigje konkrete ndaj kërkesave të tyre. /EO/

Të ngjashme

Të fundit