Ministri në detyrë i Infrastrukturës, Dimal Basha, po vazhdon të merret me rastin e humbjes tragjike të jetës së një gruaje në një aksident në autostradën “Ibrahim Rugova”, i ndodhur më 14 qershor të këtij viti.

Përmes një postimi në Facebook, Basha tha se raporti zyrtar i Policisë së Kosovës “tregon që në bazë të hetimeve profesionale, drejtuesi i automjetit e ka humbur kontrollin mbi veturën, duke goditur fillimisht sinjalizimin rrugor dhe më pas elementet mbrojtëse anësore”.
Në këtë postim, Basha kritikon politikanët dhe mediat për “raportime të pavërteta”. “Për dallim nga raportimet e pavërteta dhe akuzat e nxituara të disa politikanëve e mediave, Raporti konstaton se të dy shiritat e qarkullimit kanë qenë të lirë për lëvizje dhe se gjendja e rrugës nuk ka ndikuar në shkaktimin e aksidentit. Këto janë gjetje zyrtare të organeve kompetente”, shkroi Basha.
Derisa kritikon e akuzon të tjerët se po tentojnë që këtë tragjedi ta shfrytëzojnë politikisht, ai thotë: “Fatkeqësisht, para përfundimit të hetimeve zyrtare, qarqe të caktuara me tendenca për të përfituar nga secili rast për të lëshuar akuza ndaj qeverisë, u sulën për ta paraqitur këtë tragjedi si pasojë të rrëshqitjeve të dheut e si rezultat i mosveprimit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit”.
“Kjo nuk e zvogëlon dhimbjen për jetën e humbur, por është me rëndësi që të dihet dhe të raportohet e vërteta. Faktet zyrtare tashmë i kanë rrëzuar pretendimet false dhe akuzat e atyre që u përpoqën të përfitonin politikisht nga ajo fatkeqësi njerëzore”.
“Le të jetë ky mësim për të gjithë se tragjeditë e tilla nuk duhet të përdoren për propagandë politike dhe as për përfitime mediatike”, shkroi mes tjerash Basha, teksa shprehu ngushëllime për familjarët e viktimës






