AKK-ja e dërgon në Kushtetuese rregulloren e qeverisë për shërbimin civil

- Advertisement -

Këshilli i kryetarëve të Asociacionit të Komunave të Kosovës ka vendosur që rregullorja e qeverisë nr. 07/2025, për procedurën e pranimit në shërbimin civil, të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese për vlerësim të kushtetutshmërisë së saj.

Sipas kreut të AKK-së, Sazan Ibrahimi, komunat nuk do të lejojnë cenimin e vetëqeverisjes lokale.

“E drejta e vetëqeverisjes lokale është kategori kushtetuese dhe garantohet me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, me ligjet në fuqi dhe me Kartën Evropiane për Vetëqeverisjen Lokale. Komunat ushtrojnë kompetencat e tyre vetjake, të zgjeruara dhe të deleguara përmes organeve përfaqësuese dhe në përputhje me parimet e decentralizimit dhe subsidiaritetit”, ka deklaruar Ibrahimi.

Sipas vlerësimit të Asociacionit të Komunave, pushteti qendror ka të drejtë të ushtrojë vetëm kontrollin e ligjshmërisë ndaj akteve komunale, por jo të ndërhyjë në kompetencat kushtetuese dhe autonome të komunave.

“Çdo veprim që tejkalon këtë kufi përbën cenim të rendit kushtetues dhe të autonomisë lokale”, shton Ibrahimi.

AKK-ja deklaron se rregullorja në fjalë e qeverisë përfaqëson ndërhyrje të drejtpërdrejtë në kompetencat e komunave, duke centralizuar procedurat e rekrutimit të stafit komunal dhe duke reduktuar autonominë funksionale të pushtetit lokal.

“Një qasje e tillë bie ndesh me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, me parimin e subsidiaritetit dhe me standardet evropiane të vetëqeverisjes lokale.

Për këtë arsye, AKK-ja, përmes komunave, do ta dërgojë këtë rregullore të qeverisë në Gjykatën Kushtetuese, me kërkesë për vlerësim të kushtetutshmërisë së saj, me qëllim mbrojtjen e autonomisë lokale dhe rendit kushtetues në Republikën e Kosovës”, përfundoi Ibrahimi.

Të ngjashme

Të fundit