Akademiku i Oksfordit godet qasjen e Britanisë ndaj Speciales: Ajo që ndodh në Hagë nuk do të lejohej në gjykatat britanike

- Advertisement -

James Pettifer, akademik dhe historian britanik që punon në Universitetin prestigjioz të Oksfordit, ka shprehur kritika të forta ndaj Gjykatës Speciale në Hagë dhe qasjes së shteteve perëndimore ndaj këtij institucioni, duke kërkuar që edhe Britania e Madhe të rishqyrtojë mbështetjen e saj.

Përmes një reagimi në platformën X, Pettifer ka vënë në pikëpyetje transparencën e proceseve në Hagë, duke argumentuar se fshehtësia dhe mungesa e transparencës që, sipas tij, e karakterizojnë këtë proces, nuk do të pranoheshin në sistemin gjyqësor britanik.

“Ne nuk e dimë. E gjithë kjo çështje e Hagës varet nga fshehtësia dhe obskurantizmi, gjëra që nuk do të lejoheshin kurrë në një gjykatë britanike”, ka shkruar Pettifer.

Akademiku britanik ka përmendur edhe tërheqjen e SHBA-së nga angazhimet përkatëse, duke vlerësuar se Britania e Madhe duhet të ndjekë të njëjtën rrugë.

“Presidenti Trump ka pasur të drejtë që e tërhoqi SHBA-në nga përfshirja e saj. Britania e Madhe duhet të bëjë të njëjtën gjë”, ka deklaruar ai.

Në një reagim tjetër, Pettifer i është referuar edhe deklarimeve të Mats Mattssonit lidhur me origjinën politike të proceseve ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Pettifer ka pretenduar se edhe vetë është përballur me trajtim të padrejtë, duke deklaruar se ishte përjashtuar si dëshmitar i mbrojtjes dhe se libri i tij historik ishte sulmuar nga persona që, sipas tij, nuk e kishin kuptuar përmbajtjen e tij.

“Zoti Mattsson duhet të studiojë se si unë u përjashtova si dëshmitar i mbrojtjes dhe se si libri im historik u sulmua nga injorantë. Nuk pata asnjë mundësi t’ia shpjegoja gjykatës historinë e vërtetë”, ka shkruar ai.

Deklaratat e James Pettiferit, një akademiku britanik me përvojë në studimin e historisë së Ballkanit dhe Kosovës, rikthejnë në vëmendje debatin mbi funksionimin, transparencën dhe standardet e drejtësisë në Gjykatën Speciale.

Qëndrimet e tij përbëjnë një kritikë ndaj qasjes ndërkombëtare në raport me këtë institucion, ndërsa kërkesa që Britania të rishqyrtojë përfshirjen e saj hap një tjetër debat mbi rolin e shteteve perëndimore në proceset gjyqësore që lidhen me Kosovën.

Të ngjashme

Të fundit