Siç ka bërë të ditur BDI-ja, Ahmeti në letra shpreh shqetësimin e tij të thellë për zhvillimet e fundit politike dhe kushtetuese në Maqedoninë e Veriut, që rrezikojnë arritjet e Marrëveshjes së Ohrit dhe parimet e barazisë dhe stabilitetit në shtetin shumëetnik, raporton Klan.mk.

Ahmeti thekson se tri vendime të fundit – planet për shfuqizimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, ndalimi i identifikimit të përkatësisë etnike në institucionet shtetërore dhe formimi i një shumice qeverisëse pa përfaqësim të drejtë të komuniteteve etnike – përbëjnë kërcënime serioze për paqen dhe stabilitetin e vendit dhe të rajonit në tërësi. Ai i bën thirrje udhëheqësve ndërkombëtarë për veprim të përbashkët për mbrojtjen e arritjeve të Marrëveshjes së Ohrit dhe të të drejtave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.