Ish-kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka folur për situatën politike në vend pas zhvillimeve të fundit me Gjykatën Speciale dhe aktgjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, duke propozuar hapa konkretë për unitet kombëtar dhe institucional.
Ahmeti, në “DPT te Fidani” në Klan Kosova, theksoi se vendit nuk i duhet një “supermen” individual, por një emërues i përbashkët që tejkalon interesat partiake, duke përmendur për herë të parë emrin e Murat Jasharit për postin e Presidentit të vendit.
Ai tha se Kosovës i nevojitet një figurë që simbolizon sakrificën dhe vlerat themelore të shtetit.
“S’ka supermen. Mos lyp supermenin, mos lyp zgjidhje te një njeri. Kur po thonë president, unë e kisha lypë një president i cili është tash emërues i përbashkët. Tash është ndoshta koha për Murat Jasharin. S’kam folë me kërkon, për herë t’parë te ti po e përmendi”, tha Ahmeti.
Ai theksoi se ideja nuk lidhet vetëm me individin, por me atë çfarë përfaqëson familja Jashari dhe vetë ai.
Jo Murat Jashari si person, por çka përfaqëson ai. Po më vjen keq prej një familje që ka sakrifiku kaq shumë me i thënë: ‘A mundem kësaj here me ta huazu emrin për me i përbashku njerëzit?’. Në të njëjtën kohë, kjo do të ishte jehonë edhe në lajme ndërkombëtare, që Kosova po përbashkohet rreth konceptit të sakrificës, të krejt asaj që e ka shënuar luftën tonë për pavarësi dhe çlirim”, shtoi ai.
Ish-kryetari i Prishtinës shtoi se refuzimi i mëparshëm i kësaj pozite nga ana e Jasharit ka qenë vendim i mirë, pasi theksoi se tashmë e bën atë plotësisht të paanshëm përballë të gjitha forcave politike.






