Pini Zahavi, agjenti i Robert Lewandowskit, ka konfirmuar se sulmuesi polak dëshironte të qëndronte edhe një vit te Barcelona, diçka që e dëshironte edhe presidenti i klubit, Joan Laporta.
Zahavi deklaroi në një intervistë të cituar nga gazeta spanjolle “Sport”: “Ju e dini se Joan Laporta e adhuron vërtet Lewan! Ai dëshironte që Roberti të luante edhe një vit në ‘Camp Nou’. Kam folur me të për këtë në dhjetor dhe ai më tha: ‘Dua që Roberti të qëndrojë’”.
Megjithatë, dëshira e Laportës nuk përputhej me planet e drejtuesve sportivë dhe stafit teknik. Presidenti mendoi se nuk duhej të ndërhynte në punën e Decos dhe Hansi Flickut.
“Ata janë ata që vendosin për formacionin e ekipit dhe nuk mund t’i garantonin Robertit një vend titullari, gjë që për të ishte edhe më e rëndësishme sesa paratë,” tha përfaqësuesi i lojtarit.
Ai shtoi: “Ju e njihni atë, ai gjithmonë dëshiron të luajë dhe të jetë një element kyç i skuadrës. Megjithatë, Deco dhe Flick kishin një vizion tjetër për të ardhmen e Robertit te Barcelona dhe për këtë arsye, në një moment të caktuar, nisëm të shqyrtonim opsione të tjera”.
Më tej, Zahavi zbuloi edhe fjalët që Laporta i kishte thënë:
“Laporta më tha: ‘Thuaji Robertit se ne e duam. Ai është pjesë e historisë sonë dhe është njeriu që e shpëtoi Barcelonën.’ E kuptoni këtë? ‘Ai e shpëtoi Barcelonën’, pikërisht kështu u shpreh”.
Sipas agjentit, këto fjalë do t’ia mbajnë gjithmonë të hapura dyert e klubit Lewandowskit.
“Për këtë arsye besoj se, nëse një ditë ai dëshiron të punojë për Barcelonën, do të ketë gjithmonë një vend për të”.
Sulmuesi polak mund të ishte larguar muaj më parë. Zahavi zbuloi se në janar kishte marrë një ofertë nga Arabia Saudite me vlerë 100 milionë euro në sezon për dy vite, por Lewandowski e refuzoi atë. Prioriteti i tij ishte të qëndronte te Barcelona.
“Në janar të vitit 2026, Roberti kishte në tavolinë një ofertë dyvjeçare me vlerë 100 milionë euro në sezon,” tha agjenti.
I pyetur pse e refuzoi ofertën, ai u përgjigj prerazi:
“Sepse donte të luante te Barcelona”.
Më vonë, opsioni nga Arabia Saudite u zbeh, pasi klubet e Roshn League ndryshuan politikën e tyre të shpenzimeve dhe shumat marramendëse të ofruara një vit më parë nuk ishin më në dispozicion.
Zahavi kontaktoi edhe me Al-Ittihadin, si dhe me zyrtarë të futbollit në Katar, por në fund i tha Lewandowskit se edhe ky opsion ishte bërë i vështirë për t’u realizuar.






