Veliu në krye të degës u zëvendësua me Ekrem Hysenin, i cili ishte edhe kandidat për kryetar të Komunës nga kjo parti në Podujevë.
Ish ministri i brendshëm, në shkrimin e tij në Facebook, asnjëherë nuk e përmend kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, anipse duke përmendur themeluesin Ibrahim Rugova, Veliu ka bër thirrje për unitet, që sipas tij tash është më i nevojshëm se kurdoherë.
Në fakt Veliu u prononcua për Tv Llapi në lidhje me injorimin e dyanshëm që ndodhi. Ai tha se nuk u përshëndet fare nga kryetari i degës Ekrem Hyseni.
“Nuk e panë të arsyeshme me e përshëndetë njeriun që e ka themeluar LDK-në para 33 vjetëve. Të shohim kur të hapet procesi i zgjedhjeve sigurisht unë jam i interesuar që LDK në Llap të rikthehet si parti e parë. E kjo formë duke proklamuar unitet e duke vepruar ndryshe është e vështirë në këtë formë.” – ka thënë Veliu, nën brohoritjet e emrit të tij nga qytetarëve përrreth tij.
Postimi i Veliut:
33 vjet LDK në Llap
33 vjet punë, sakrificë, rezistencë dhe angazhim intelektual në ruajtjen e identitetit kombëtar dhe shtetndërtim.
Me ideatorin dhe kreatorin e shtetit të pavarur të Kosovës, themeluesin dhe prijësin e saj Dr.Ibrahim Rugova, Lidhja Demokratike e Kosovës u dëshmua si prijëse e proceseve dhe zhvillimeve më të mëdha dhe më të rëndësishme në vend.
Gjatë gjithë këtyre viteve LDK dëshmoi se e vetmja rrugë e sigurtë për të ardhmen e Kosovës është filozofia politike e Presidentit historik të Kosovës Dr. Ibrahim Rugova.
LDK u dëshmua se është më shumë sesa një parti, është një institucion nacional që kultivon e afirmon vlera dhe ruan miqësinë me aleatët perëndimorë, Shtetet e Bashkuara e NATO-në dhe punon fuqishëm për integrim në BE.
Edhe në ditëlindjen e saj të 33-të, LDK-ja, duke pasur dijen e guximin politik dhe anëtarësinë besnike, po dëshmon se është e vetmja shpresë për vendin.
LDK përgjatë këtyre tri dekadave ka dhënë provimin e partisë shtetformuese e shtetndërtuese.
Pikërisht pse ishim forca më e madhe dhe më serioze politike, kalaja jonë politike ishte dhe vazhdon të jetë shënjestër e sulmeve të vazhdueshme nga stuhi të jashtme, e jo rrallë edhe u provua të rrënohej nga brenda.
Kundërshtarët tanë politikë nuk zgjodhën mjete në përpjekjet për ta dobësuar e copëtuar Lidhjen tonë.
Por, edhe atëherë kur rivalët tanë menduan se dobësuan, siç projektuan, Lidhja jonë u konsolidua dhe forcua më shumë.
LDK u bë edhe më e fortë kur u sulmua e atakua më së shumti nga kundërshtarët e saj politikë, sepse sakrifikoi e investoi shumë për ta bërë e ndërtuar Republikën.
Prandaj, më shumë se detyrë, është mision i LDK-së ruajtja e shtetit.
Vendin dhe Llapin duhet ta shpëtojmë nga ata që erdhën në pushtet me kauza të rreme, e sot bëjnë pazare me sovranitetin dhe integritetin territorial të shtetit.
Si kurrë më parë, sot nevojitet unitet dhe mobilizim në veprim politik për t’ia rikthyer qytetarit shpresën, e vendit dhe Llapit qeverisjen e mirë.
Këtë mund ta bëjë vetëm LDK-ja, forca politike që ka treguar dije, kulturë, vendosmëri dhe përgjegjësi në qeverisje.
Të dashur veprimtarë, anëtarë e simpatizantë, urime 33 vjetori i Lidhjes sonë!