Në urimin e tij, Ademi iu drejtua drejtuesve të klubeve, trajnerëve, futbollistëve, dashamirëve të futbollit dhe të gjithë besimtarëve myslimanë, duke theksuar rëndësinë e solidaritetit, sakrificës dhe mirëkuptimit në shoqëri dhe sport.
Ai tha se Kurban Bajrami është një festë që rikujton vlerat më të larta njerëzore dhe bëri thirrje për më shumë unitet, humanizëm dhe mbështetje ndaj atyre që kanë nevojë.
“Le të forcojmë frymën e unitetit, respektit dhe humanizmit, duke qenë pranë atyre që kanë më shumë nevojë për mbështetje dhe solidaritet”, thuhet ndër të tjera në mesazhin e presidentit të FFK-së.
Në fund, Ademi uroi që kjo festë të sjellë harmoni, gëzim dhe begati në çdo familje, duke lutur që Zoti t’i bekojë të gjithë qytetarët dhe familjet e tyre.
Urimi i plotë:
🌙✨ Urime Kurban Bajrami! 🕌
Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës, drejtues të klubeve, trajnerë, futbollistë, dashamirë të futbollit dhe komunitet sportiv të besimit mysliman,
Kam kënaqësinë që në emrin tim personal dhe të Komitetit Ekzekutiv të Federatës së Futbollit të Kosovës, t’ju përcjell urimet më të sinqerta dhe më të përzemërta me rastin e Kurban Bajramit.
Uroj që kjo festë e bekuar t’ju gjejë pranë familjeve tuaja, me shëndet, paqe shpirtërore dhe begati në çdo vatër.
Kurban Bajrami na rikujton vlerat më të larta njerëzore; sakrificën, solidaritetin, mirëkuptimin dhe kujdesin ndaj njëri-tjetrit, vlera që duhet të na shoqërojnë çdo ditë, si në jetën shoqërore, ashtu edhe në atë sportive.
Në këtë ditë feste, le të forcojmë frymën e unitetit, respektit dhe humanizmit, duke qenë pranë atyre që kanë më shumë nevojë për mbështetje dhe solidaritet.
Me përkushtimin për të vazhduar punën në zhvillimin e futbollit dhe avancimin e vendit tonë, ju uroj që këtë festë ta kaloni me harmoni, gëzim e begati pranë më të dashurve tuaj.
Zoti ju bekoftë juve dhe familjet tuaja!






