Agim Ademi: Nëse nuk e zgjedhni Kosovën, zgjidheni Shqipërinë – Kosova me talentë të shumtë, por pa rezultatet e pritura

- Advertisement -

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, në një intervistë për albinfo.ch flet për pritshmëritë ndaj Kombëtares, ndryshimin e gjeneratave, projektin me Franco Fodën dhe talentet shqiptare në diasporë.

Ai thekson se Kosova dhe Shqipëria duhet ta shohin potencialin e futbollistëve shqiptarë si një pasuri të përbashkët, vlerëson kontributin e Zvicrës dhe të familjeve shqiptare në zhvillimin e futbollit kosovar, si dhe kritikon fishkëllimat ndaj himneve të shteteve mysafire nga tifozëria kosovare.

Brenda një dekade nga pranimi në UEFA dhe FIFA, Kosova ka ndërtuar një kombëtare prej së cilës tifozët presin gjithnjë e më shumë.

Për presidentin e FFK-së, Agim Ademi, rritja e pritshmërive dëshmon përparimin e futbollit kosovar, por kërkon edhe realizëm.

Në këtë intervistë, Ademi flet për rezultatet e fundit, strategjinë e afrimit të futbollistëve të rinj dhe bashkëpunimin me diasporën.

Ai shpjegon se si Federata identifikon talentet brenda dhe jashtë Kosovës, përse futbollistët po e zgjedhin fanellën dardane dhe si i sheh raportet me Shqipërinë.

Një vend të veçantë në bisedë zënë Zvicra, prindërit shqiptarë në emigracion dhe përgjegjësia e tifozëve për imazhin e Kosovës.

Ndeshja ndaj Izraelit nuk përfundoi ashtu siç pritej. Si e vlerësoni rezultatin dhe pritshmëritë e mëdha që ka tifozëria shqiptare?

Ademi: Më gëzon fakti që sot tifozët e shohin Kosovën si një ekip që duhet të fitojë. Kjo tregon sa shumë është rritur besimi në Kombëtaren tonë. Megjithatë, duhet të jemi realistë. Kosova ka vetëm dhjetë vjet në futbollin ndërkombëtar dhe gjatë kësaj periudhe ka bërë përparim të madh.

Mendoj se ndaj Izraelit është dashur të fitonim, duke pasur parasysh cilësinë e futbollistëve tanë. Por futbolli është i paparashikueshëm. Sot nuk ka kombëtare të dobëta dhe në rezultat ndikojnë shumë faktorë. Duhet të mësojmë nga kjo ndeshje dhe të vazhdojmë përpara.

A e ka vështirësuar ky rezultat objektivin për play-off?

Ademi: Sigurisht. Në futboll është më mirë kur objektivat i arrin përmes rezultateve të tua dhe nuk varesh nga skuadrat e tjera. Qëndrimin në Ligën B praktikisht e kemi siguruar, por play-off-i mund të vihet në rrezik. Ne synojmë të fitojmë çdo ndeshje, megjithëse duhet të kemi parasysh se jemi ende në procesin e ndërtimit të një ekipi.

Në ndeshjen ndaj Izraelit, Milot Rashica u aktivizua, ndërsa Fisnik Asllani, që po kalon një formë shumë të mirë, nuk ishte titullar. Si e shpjegoni këtë vendim të trajnerit?

Ademi: Ndërrimi i gjeneratave është proces i vështirë edhe për kombëtaret më të mëdha. Ne e kemi nisur gradualisht, në mënyrë që futbollistët e rinj të integrohen pranë atyre me përvojë.

Trajneri vendos për sistemin e lojës dhe përzgjedhjen e futbollistëve. Në kualifikime kemi luajtur me Fisnik Asllanin dhe Vedat Muriqin së bashku në sulm, ndërsa tani sistemi ka ndryshuar.

Asllani tashmë e ka dëshmuar cilësinë e tij dhe nuk është më një futbollist që duhet provuar. Mund të jetë që trajneri ka menduar ta ruajë për ndeshjen e ardhshme. Këto janë vendime profesionale të stafit teknik.

Si ka shkuar transformimin i ekipit me lojtarë të rinj dhe a jeni të kënaqur me rezultatet?

Ademi: Nuk kemi pritur që një gjeneratë ta përfundojë karrierën për të filluar ndërtimin e tjetrës. Futbollistët e rinj janë integruar gradualisht dhe kanë fituar përvojë pranë lojtarëve të dëshmuar. Sot kemi një grup shumë të talentuar që mund ta përfaqësojë Kosovën për shumë vite.

Çfarë ka ndryshuar në organizimin e Federatës që ka mundësuar afrimin e shumë futbollistëve të rinj nga Zvicra, Gjermania dhe vende të tjera?

Agim Ademi: Ky transformim është rezultat i një projekti të përbashkët me Franco Fodën dhe stafin e tij. Që në fillim kemi qenë të vetëdijshëm për potencialin e madh të futbollistëve shqiptarë në diasporë.

Edhe Foda është impresionuar nga numri i talenteve që kemi në raport me popullsinë e Kosovës. Ai ka pasur oferta financiarisht më të favorshme, por ka vendosur të jetë pjesë e projektit tonë.

Kemi punuar për identifikimin dhe afrimin e futbollistëve që zhvillohen në Zvicër, Gjermani dhe vende të tjera. Shumë prej tyre i kemi përcjellë që në moshë të re dhe sot janë pjesë e rëndësishme e Kombëtares.

A mbështetet Federata kryesisht te diaspora, apo ekziston një sistem i ngjashëm për identifikimin e talenteve brenda Kosovës?

Ademi: Kemi një sistem të organizuar në shtatë rajonet e futbollit në Kosovë. Në secilin rajon përzgjidhen futbollistët më të mirë nga klubet dhe shkollat e futbollit.

Në këtë proces përcjellim rreth 300 futbollistë, prej të cilëve përzgjidhen afërsisht 20 më të mirët. Ata bashkohen në procesin e përzgjedhjes me talentet që identifikojmë në diasporë, për të ndërtuar ekipet kombëtare të grupmoshave, duke filluar nga U15.

Qëllimi ynë është që talentet nga Kosova dhe diaspora të kenë mundësi të barabarta për t’u zhvilluar.

Sa futbollistë janë aktualisht nën vëzhgimin e Federatës?

Ademi: Aktualisht kemi një listë prej 168 futbollistësh të moshave të ndryshme, të cilët monitorohen nga skautët, trajnerët dhe stafi ynë profesional.

Organizojmë edhe kampe për identifikimin e talenteve, veçanërisht në Zvicër, në bashkëpunim me organizatat shqiptare të futbollit.

Ne përpiqemi ta përcjellim çdo futbollist shqiptar me potencial. Megjithatë, vendimi përfundimtar për përzgjedhjen i takon trajnerit dhe stafit teknik.

“Erblin Osmani mund të bëhet lider i Kombëtares”

Erblin Osmani, talenti 17-vjeçar i Bayern Munichut, ka tërhequr vëmendje të madhe. Si e vlerësoni potencialin e tij?

Ademi: Erblini është një fenomen. Nuk është rastësi që një futbollist 17-vjeçar arrin të debutojë me ekipin e parë të Bayern Munichut.

Ai ka cilësi të jashtëzakonshme, por edhe karakter, disiplinë dhe pjekuri. Besoj se është një nga talentet më premtuese të futbollit evropian.

Më gëzon fakti që ka zgjedhur Kosovën. Nëse vazhdon të zhvillohet dhe u shmanget lëndimeve, mund të bëhet një nga futbollistët kryesorë, madje edhe lider i ardhshëm i Kombëtares.

“Çdo shqiptar duhet të luajë aty ku i rreh zemra”

Afrimi i Lutfi Dalipit, me prejardhje nga Lugina e Preshevës, i cili ka nënë portugeze, ka nxitur diskutime rreth zgjedhjes mes Kosovës dhe Shqipërisë, pasi ai kishte deklaruar se amaneti i gjyshit të tij ishte të luante për Shqipërinë ose Kosovën. Si e shihni këtë zgjedhje?

Ademi: Çdo shqiptar duhet të luajë aty ku i rreh zemra. Natyrisht, ne dëshirojmë që futbollistët ta zgjedhin Kosovën, por nëse nuk vijnë te ne, le të luajnë për Shqipërinë.

Kemi dy kombëtare dhe shumë talente. Nuk ka arsye që këtë ta shohim si rivalitet negativ. Përkundrazi, është një pasuri e përbashkët.

Futbollistët që rriten në Zvicër apo Gjermani kanë mundësi të përfaqësojnë edhe vendet ku janë zhvilluar. Por është e rëndësishme që talentet shqiptare të kenë perspektivë edhe te Kosova dhe Shqipëria.

Si e bindët Dalipin që ta zgjidhte Kosovën?

Ademi: Ne e kemi përcjellë zhvillimin e tij dhe e kemi ftuar ta njohë nga afër projektin e Federatës.

Nuk u bëjmë futbollistëve premtime të parealizueshme dhe nuk synojmë t’i afrojmë vetëm për t’i penguar të luajnë për një kombëtare tjetër.

Dalipi e ka parë projektin, ka biseduar me njerëzit tanë dhe me futbollistët e Kombëtares. Ai e ka parë veten pjesë të këtij ekipi dhe ka vendosur ta përfaqësojë Kosovën.

Jam i bindur se me talentet që po afrohen, Kosova do të ketë një ekip shumë cilësor në vitet e ardhshme.

Ne jemi një komb dhe këtë potencial duhet ta shohim si pasuri të përbashkët. Për ne kanë rëndësi cilësia, përkushtimi dhe dëshira e futbollistit për ta përfaqësuar Kosovën.

Në ndeshjen ndaj Izraelit janë dëgjuar fishkëllima të tifozëve kosovarë ndaj himnit të shtetit mysafir. Si mund të parandalohet një akt i tillë i shëmtuar?

Ademi: Futbolli zgjon emocione të mëdha dhe tifozët ndonjëherë reagojnë në mënyra të papranueshme. Por UEFA dhe FIFA kanë rregulla të qarta për sjelljen në stadiume.

Mesazhet politike dhe veprimet e ndaluara mund të sjellin dënime financiare, sportive dhe juridike për Federatën.

Ne mund të luajmë edhe kundër shteteve që nuk e kanë njohur Kosovën, por në fushë duhet të respektohen rregullat sportive dhe kundërshtari.

Federata është dënuar edhe më parë për sjelljen e tifozëve. Prandaj u bëj thirrje që ta mbështesin Kombëtaren me gjithë zemër, por në mënyrë dinjitoze. Sjellja në stadium është edhe pjesë e imazhit të shtetit tonë.

Sa e rëndësishme është që tifozët ta dallojnë rivalitetin sportiv nga marrëdhëniet që Kosova ka me shtete mike? Të mos harrojmë se fishkëllimi i himneve është një dukuri e shpeshtë edhe ndaj shteteve mike, si Zvicra e të tjera.

Ademi: Zvicra është një nga shtetet mike që i ka dhënë shumë Kosovës, politikisht, ekonomikisht dhe në aspektin shoqëror.

Ajo u ka krijuar mundësi shqiptarëve të jetojnë, të punojnë, të shkollohen dhe të zhvillohen. Falë këtyre mundësive, shumë familje kanë kontribuar edhe në mirëqenien e familjarëve të tyre në Kosovë.

Prandaj rivaliteti sportiv nuk duhet të shndërrohet në armiqësi. Në fushë secili dëshiron të fitojë, por jashtë saj duhet të ruajmë respektin dhe mirënjohjen.

Ju shpesh e përmendni peshën e fanellës së Kosovës. Çfarë kuptimi ka ajo për ju?

Ademi: Fanella e Kosovës peshon shumë rëndë, sepse për lirinë dhe shtetin tonë është derdhur gjak.

Ajo bart historinë dhe sakrificën e dëshmorëve, martirëve dhe të gjithë atyre që kanë vuajtur për Kosovën.

Ka familje ku dikur baballarët kanë veshur uniformën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërsa sot fëmijët e tyre veshin fanellën e Kombëtares.

Dikur prindërit luftuan për lirinë, ndërsa sot fëmijët e tyre, në paqe, e përfaqësojnë Kosovën në botë.

Prandaj futbollistët duhet ta dinë se nuk përfaqësojnë vetëm një ekip. Ata përfaqësojnë një popull, historinë dhe sakrificën e shumë gjeneratave.

“Diaspora ka merita të jashtëzakonshme për Kosovën”

Përtej futbollit, si e shihni rolin e diasporës në zhvillimin e Kosovës?

Ademi: Kam mirënjohje të madhe për të gjithë shqiptarët që kanë kontribuar dhe vazhdojnë të kontribuojnë për Kosovën.

Prindërit shqiptarë në diasporë kanë merita të mëdha për mënyrën se si i kanë edukuar fëmijët e tyre në frymën kombëtare.

Ata i kanë rritur fëmijët në Zvicër, Gjermani dhe vende të tjera, duke ua ruajtur gjuhën, traditat dhe dashurinë për Kosovën.

Falë kësaj, shumë futbollistë që kanë lindur jashtë vendit e ndiejnë Kosovën si atdheun e tyre dhe dëshirojnë ta përfaqësojnë.

Diaspora ka kontribuar në çdo periudhë të historisë sonë. Gjatë luftës, shumë bashkatdhetarë lanë jetën dhe punën e tyre jashtë vendit për t’i dalë në ndihmë Kosovës. Disa dhanë edhe jetën. Sot ky kontribut vazhdon edhe përmes sportit.

Shqiptarët kanë dëshmuar potencial të jashtëzakonshëm në sport, shkencë, arsim, muzikë dhe ekonomi. Kudo që u janë krijuar mundësitë, kanë treguar se mund të arrijnë nivelet më të larta.

Sot kemi shtetin tonë dhe mundësinë për ta zhvilluar më tej këtë potencial. Dëshira ime është që shqiptarët, kudo që jetojnë, të vazhdojnë ta ndihmojnë njëri-tjetrin dhe të kontribuojnë për përparimin e Kosovës.

Të ngjashme

Të fundit