Ministria e Infrastrukturës e drejtuar nga Dimal Basha ka vendosur që të paguaj 998 euro për aparat dhe kapsula, vetëm një ofertë në garë.
Në një kohë kur qytetarët presin investime në rrugë, projekte infrastrukturore dhe zgjidhje për problemet reale të transportit, ministria që tash drejtohet nga Dimal Basha ka zgjedhur të hapë një ri-tender për aparat kafeje.
Kontrata është nënshkruar më 18 mars 2026 dhe ka vetëm një ofertues. Vetëm një. As konkurrencë, as garë, as alternativë, shkruan Demokracia.com.
Fituesi është kompania Get to Go L.L.C., me adresë në Prishtinë, e cila ka marrë kontratën për marrjen në shfrytëzim të një aparati për përgatitje të kafesë dhe furnizim me kapsula.
Vlera totale 998 euro. As më pak e as më shumë. Po aq sa oferta më e lirë dhe po aq sa oferta më e shtrenjtë, sepse kishte vetëm një ofertë.

“Ri-tender Marrja ne shfrytëzim, aparat për përgatitje të kafes. Data e nënshkrimit te kontratës: 18.03.2026. Numri i tenderëve te pranuar: 1 Numri i tenderëve te përgjegjshëm: 1. Emri zyrtar: Get to Go L.L.C. Vlera e përgjithshme e kontratës 998.00 euro”.
Në përshkrimin e kontratës thuhet qartë: një aparat për kafe dhe 20 pako kapsula.

“Marrja në shfrytëzim e një aparat për përgatitje të kafes. Cope1. Kapsula për kafe 1/100. Pako 20”, thuhet në njoftimin e shpallur.
Ky është një nga tenderët e parë pas ndryshimeve në krye të Ministria e Infrastrukturës e Kosovës, dhe mesazhi që jep është i qartë se për rrugët ka kohë, për kafenë jo.







