Afër 120 mijë euro u dhanë nga Ministria e Punëve të Brendshme gjatë 2025-ës për punonjësit serbë, pa qenë fare në vendin e punës.
Kjo është një ndër të gjeturat e raportit të Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin e kaluar.
Një pjesë të madhe të raportit iu kushtua edhe Policisë së Kosovës, ku thuhet se shpenzimet ishin keqklasifikuar në vlerë prej mbi 10 milionë eurove pasi ishin ekzekutuar pagesa nga investime kapitale për pagat e punonjësve policorë.
Aty thuhet se nga 12 rekomandime, pesë prej tyre janë të reja, katër të përsëritura e tri rekomandime pjesërisht të përsëritura.
Një ndër të përsëriturat, vazhdon të jetë ushtrimi i funksionit të rreth 391 zyrtarëve për të cilat kërkohet gradë më e lartë.
“Kjo kishte ndodhur si rezultat i implementimit të strukturës së re organizative, gjatë së cilës janë krijuar departamente, divizione dhe drejtori të reja, pa u harmonizuar njëkohësisht aktet nënligjore. Në maj 2026 është aprovuar korniza rregullative nga ana e Drejtorit të Policisë e cila mundëson fillimin e procesit të gradimit. Sistemimi i stafit në pozita që nuk janë në përputhje me gradën adekuate mund të ndikojë që pozitat e punës të ushtrohen nga persona me mungesë të kompetencës profesionale”
Me këtë gjetje, pajtohet edhe ish-drejtori i Policisë, Reshat Maliqi i cili thotë se është dashur të shqyrtohen mirë aspektet ligjore para formimit të kësaj structure.
“Gjë që nuk është një praktikë e mirë dhe nuk është mirë që të caktohen pozita të tilla por njerëzve t’iu mundësohet që ata të gradohen, të marrin gradën përkatëse, ky problemi i gradimit është problem shumë i madh në Policinë e Kosovës që vërtetë po iu shkakton problem edhe në implementim të strukturës organizative dhe udhëheqjes në Polici”, ka thënë Maliqi.
Tutje, në raport thuhet se Policia ka vazhduar të paguajë 50 për qind të pagës edhe mbi 6 muaj për 58 zyrtarë policorë që ishin të suspenduar.
“Suspendimi me pagesë zgjatë deri në 6 muaj, ndërprehet tash pagesa dhe nuk ka pagesë, pritet verdikti i Gjykatës dhe në rast se pas vendimit të Gjykatës, i njëjti shpallet i pafajshëm e fiton të drejtën të rikthehet në pozitën dhe në punën të cilën e ka ushtruar më herët dhe normalisht t’a merr kompensimin në rast se është i pafajshëm, në rast se është fajtor i ndërprehet marrëdhënia e punës”, u shpreh tutje Maliqi.
Raporti vë në pah edhe pranimin e një automjeti në vlerë afër 90 mijë euro, e që ishte në përputhje me specifikimet teknike.
Sipas ZKA-së, vetëm dy rekomandime ishin zbatuar nga MPB, katër janë përsëritur e tri janë pjesërisht të zbatuara. /Tëvë1/






