Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë do të vazhdojnë edhe sot me seancën për paraqitjen e deklaratave përfundimtare në çështjen penale ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, si dhe Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit, të cilët akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.
Javën e kaluar, Prokuroria e Specializuar ka kërkuar gjashtë vjet burgim për Thaçin, nga tre vjet për Smakajn, Kilajn dhe Fazliun, si dhe nëntë muaj burgim për Kuçin.
Këto kërkesa janë kundërshtuar nga ekipet e Mbrojtjes.
Avokatja e Thaçit, Sophie Menegon, ka deklaruar se nuk ka ekzistuar ndonjë grup që ka tentuar të pengojë drejtësinë dhe se provat e paraqitura nga Prokuroria për të mbështetur akuzat janë të pabazuara.
Sipas Mbrojtjes, veprimet për të cilat akuzohet Thaçi nuk kanë pasur ndikim në procesin gjyqësor, duke theksuar se ai akuzohet për tentativë ndërhyrjeje dhe jo për veprën penale të kryer.






