Karim Adeyemi së fundmi u përfshi në lajme për posedim të paligjshëm të armëve, por në Dortmund detyra kryesore mbetet e qartë: bindja e tij për të qëndruar në klub. Megjithatë, a është i gatshëm anësori të vazhdojë rrugëtimin e tij te Borussia Dortmund?
23-vjeçari, i cili tashmë është sanksionuar nga DFB dhe vetë klubi, dëshiron ta lërë pas incidentin dhe të rikthehet të fokusohet te futbolli. Por e ardhmja e tij vazhdon të mbetet e paqartë.
Sipas gazetarit Sacha Tavolieri, Adeyemi ka vendosur të largohet nga Dortmundi në verën e ardhshme.
Megjithatë, në Signal Iduna Park nuk ka panik, pasi deri më tani asnjë kërkesë zyrtare transferimi nuk ka mbërritur në zyrat e klubit, prandaj drejtuesit po i marrin këto raportime me qetësi.
Faktet janë të thjeshta: kontrata e Adeyemit skadon në vitin 2027. Borussia Dortmund dëshiron ta zgjasë atë dhe lojtari ka marrë tashmë një ofertë konkrete, përfshirë një klauzolë lirimi për të cilën ai insistoi personalisht.
Nëse bisedimet nuk prodhojnë marrëveshje, një shitje verën e ardhshme bëhet shumë e mundshme.
Manchester United, Arsenal, Juventus dhe Chelsea kanë shprehur interes për anësorin e shpejtë.
Megjithatë, sipas raportimeve nga mediat gjermane, Adeyemi pëlqen shumë më tepër idenë e një transferimi në Liverpool ose Real Madrid, dy klubet e ëndrrave të tij. Por problemi qëndron se as Liverpool e as Real Madrid nuk kanë bërë përpjekje për transfeirimin e tij. /Telegrafi/







