Çavolli mori pjesë në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje të dielën, në të cilën kryeministri aktual u nominua edhe njëherë, siç pritej, si kandidat i partisë për kryeministër.

Vetëvendosje njoftoi sot për aderimin e kirurgut Çavolli në parti, përmes një fotografie që e shfaq atë bashkë me kryetarin Albin Kurti.

“Angazhimi i Dr. Çavollit në Lëvizjen VETËVENDOSJE! nuk do të pasurojë vetëm vizionin tonë për një shëndetësi më të fortë, por do të jetë edhe një shtysë për qeverisje të përgjegjshme, transparente dhe të orientuar drejt qytetarit”, thuhet në njoftimin e Lëvizjes Vetëvendosje.

Çavolli, përveç shërbimit si kardiokirurg në Qendrën Klinike Universitare, nga e cila ishte larguar pas disa pakënaqësive të shprehura në vitin 2020, është i njohur edhe për përfshirjen e dyshuar në “Stenta 3”, një rast gjyqësor kundër 12 mjekëve dhe tri institucioneve private shëndetësore.

Prokuroria kishte ngritur aktakuzë ndaj Çavollit dhe 11 personave të tjerë për vepra penale që ndërlidhen me “dhënie ryshfeti” dhe “trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor”.

Raif Qavolli akuzohej nga Prokuroria se për katër vite nga 2011 deri më 2015, si mjek në spitalin “IMH” ka trajtuar, bashkë me kolegë të tij, në mënyrë të pandërgjegjshme pacientë, “duke përdor haptas mjete apo metoda të papërshtatshme të mjekimit”.

Në tetor të këtij viti, Çavolli dhe të tjerët, të akuzuar në rastin “Stenta 3”, janë liruar nga akuza me aktgjykim të Gjykatës Themelore në Prishtinë./Paparaci