Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka uruar Dardanet për kualifikimin në “play-off”-in e Kupës së Botës 2027 dhe avancimin në Ligën B.
“Ky sukses përbën një tjetër hap të rëndësishëm në zhvillimin e futbollit të femrave në Kosovë dhe është dëshmi e qartë e progresit të vazhdueshëm që është bërë gjatë viteve të fundit. Përgëzime nga zemra secilës futbolliste dhe stafit teknik në krye me përzgjedhësin Sami Sermaxhaj për këtë arritje historike”, është thënë në urimin e Ademit.
Urimi i plotë i Ademit:
𝐔𝐫𝐢𝐦𝐞 𝐃𝐚𝐫𝐝𝐚𝐧𝐞 𝐤𝐮𝐚𝐥𝐢𝐟𝐢𝐤𝐢𝐦𝐢 𝐧ë “𝐩𝐥𝐚𝐲-𝐨𝐟𝐟”-𝐢𝐧 𝐞 𝐊𝐮𝐩ë𝐬 𝐬ë 𝐁𝐨𝐭ë𝐬 𝟐𝟎𝟐𝟕 𝐝𝐡𝐞 𝐚𝐯𝐚𝐧𝐜𝐢𝐦𝐢 𝐧ë 𝐋𝐢𝐠ë𝐧 𝐁 🎉⚽️🇽🇰
Kombëtarja jonë e vajzave e ka përmbyllur në mënyrë madhështore rrugëtimin në Grupin 2 të Ligës C për kualifikimet e Kupës së Botës 2027, duke triumfuar si mysafire ndaj Gjibraltarit me rezultat bindës 8:0.
Me këtë fitore, Kosova siguroi vendin e parë në grup, me pikë të barabarta me Kroacinë, por me goldallim më të mirë. Ky sukses u garanton Dardaneve kalimin në Ligën B për ciklin e ardhshëm kualifikues, si dhe pjesëmarrjen në “play-off”-in e kualifikimeve për Kupën e Botës 2027.
Realizimi i këtij objektivi është një arritje historike dhe plotësisht e merituar për vajzat tona, të cilat gjatë gjithë këtij cikli dëshmuan karakter të fortë, shpirt gare, përkushtim dhe besim deri në momentin e fundit.
Ky sukses përbën një tjetër hap të rëndësishëm në zhvillimin e futbollit të femrave në Kosovë dhe është dëshmi e qartë e progresit të vazhdueshëm që është bërë gjatë viteve të fundit.
Përgëzime nga zemra secilës futbolliste dhe stafit teknik në krye me përzgjedhësin Sami Sermaxhaj për këtë arritje historike.
Vazhdoni të na bëni krenarë! 👏🇽🇰






