Abdullahu: Profilet e rreme në rrjete sociale janë “fantomë medialë” me agjendë partiake

- Advertisement -

Zëdhënësi i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Faton Abdullahu, ka reaguar ndaj profileve të rreme në rrjetet sociale që, sipas tij, sulmojnë figura publike në vend, duke i cilësuar ato si “fantomë medialë” dhe duke pretenduar se veprojnë me agjendë partiake.

Përmes një postimi në Facebook, Abdullahu tha se këto profile nuk veprojnë hapur dhe fshihen pas anonimitetit.

“Janë frikacakë, prandaj të sulmojnë bashkë; hijena mediale – kur sulmojnë një nga një, nuk e tregojnë fytyrën se kush janë, sepse janë të pafytyrë; fantomë medialë. Pasurohen duke pështyrë nga larg, marrin pushtet duke gënjyer shumë”, shkroi ai.

Abdullahu bëri dallimin mes mediave të regjistruara dhe, siç i quajti ai, profileve anonime në rrjete sociale.

“Mediat në Kosovë, pra portalet, TV-të, gazetarët, analistët etj. dihet se kush janë. Janë të regjistruara, kanë emër e mbiemër, i shohim, i njohim dhe paguajnë taksa. Mirëpo ‘Lulet e Xhehenemit’ dhe shumë ‘lule’ të tjera, me prirje për të helmuar si marimangat në rrjete të ndryshme, nuk janë media të regjistruara. Nuk dihet kush janë, nuk kanë emër e mbiemër, por janë shumë dhe tejet aktivë”, u shpreh ai.

Sipas zëdhënësit të PDK-së, këto profile kanë prapavijë politike dhe përdoren për të sulmuar kundërshtarët.

“Ata, bashkë e veçmas, kanë agjendë partiake. Siç duket, financohen nga partia, shajnë, ofendojnë, sulmojnë dhe linçojnë. Ky është problemi më i madh në Kosovë prej vitesh. Ata nuk mund të bashkëjetojnë me demokracinë”, deklaroi Abdullahu.

Ai u bëri thirrje qytetarëve që të provojnë të kritikojnë pushtetin aktual për të parë, sipas tij, reagimin e këtyre profileve.

“Provojeni t’i kritikoni pushtetarët e sotëm dhe do ta kuptoni menjëherë, pas pak ditësh, madje edhe pas pak orësh, se për çfarë po flas konkretisht”, shtoi Abdullahu.

Të ngjashme

Të fundit