Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka pritur sot në takim të Ngarkuarën me Punë në Ambasadën e SHBA-ve në Kosovë, Anu Prattipati.
Gjatë takimit, kryetari Abdixhiku dhe e Ngarkuara me Punë, Prattipati diskutuan për zhvillimet aktuale politike në vend, me theks të veçantë në zhvillimet e fundit në Kuvend dhe procesin e konstituimit të institucioneve të Republikës së Kosovës.
Kryetari Abdixhiku e njoftoi Prattipati për qëndrimet e LDK-së lidhur me situatën aktuale politike, duke ritheksuar përkushtimin e LDK-së për mbrojtjen e interesit të Republikës së Kosovës, funksionalitetin e institucioneve dhe stabilitetin institucional.
Në takim u diskutua edhe për rëndësinë e tejkalimit të situatës aktuale politike dhe krijimit të kushteve për funksionimin e qëndrueshëm dhe demokratik të institucioneve të vendit, në shërbim të qytetarëve.
Kryetari Abdixhiku shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme dhe të pazëvendësueshme të SHBA-ve për Republikën e Kosovës, duke vlerësuar partneritetin strategjik ndërmjet dy vendeve dhe duke theksuar rëndësinë e ruajtjes dhe thellimit të këtij partneriteti.






